KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Beteja për rimarrjen e Mosulit
Beteja për rimarrjen e Mosulit

Beteja për rimarrjen e Mosulit

Forcat irakiane dhe milicitë kurde, të mbështetura nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kanë sulmuar pozicionet luftarake të grupit ekstremist, Shteti Islamik, rreth qytetit Mosul. Sulmi u ndërmor në kuadër të operacionit madhor për rimarrjen e kontrollit në këtë qytet, në pjesën veriore të Irakut. Në mëngjes janë dëgjuar të shtëna artilerie në këtë hapësirë, ndërsa bombat dhe raketat kanë shkaktuar re tymi në qiell.  Beteja për rimarrjen e Mosulit, që prej vitit 2014 ishte nën kontroll të Shtetit Islamik, është operacioni më i madh ushtarak në Irak prej vitit 2011, kur nga ky vend janë larguar trupat amerikane. Zyrtarët irakianë dhe amerikanë shpresojnë në fitore, e cila do të ishte goditje madhore për luftëtarët ekstremistë, të cilët kanë pushtuar territore të gjëra në Irak dhe Siri, para dy vitesh. Forcat qeveritare të Irakut kanë lëvizur ne drejtim te qytetit nga baza Karajah, që është 60 kilometra në jug të Mosulit, ndersa milicitë kurde, të njohura me emrin “peshmerga”, kanë avancuar nga lindja. Forcat kurde thanë se kanë marrë kontrollin ndaj disa fshatrave gjatë operacionit të tyre.