KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Kryeveprat e Naim Frasherit në format dixhital
Biblioteka Kombëtare publikon editimin digjital të veprave të Naim Frashërit

Kryeveprat e Naim Frasherit në format dixhital

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, ka gjetur një mënyrë origjinale për të përkujtuar 170-vjetorin e lindjes së një nga figurave më të rëndësishme të rilindjes kombëtare shqiptare, Naim Frashëri. Në faqen zyrtare të BKSH-së (www.bksh.al) ajo publikoi editimin digjital të veprave të tij.   Vepra mund të lexohet dhe shkarkohet nga të gjithë pajisjet kompjuterike, smartphone dhe tablet, duke pasur kështu mundësinë për ta pasur me vete krijimtarinë naimiane. Janë 16 tituj të rinj të këtij kolosi që çelin shërbimin më të ri online që BKSH ofron për të gjithë përdoruesit e saj: “Dëshira e vërtetë e shqipëtarëvet” (1904), “Bagëti e Bujqësija” (1886), “Lulet e verësë” (1890), “Istori e Shqipërisë” (1899). “Fletore e Bektashinjvet” (1908), “Dituritë për mësonjëtoret të para” (1888), “Qerbelaja” (1898), “Shqipëria” (1902),  “Istori e përgjitheshme për mësonjëtoret të para” (1886), “Vjersa për mësojtoret e para” (1886), “Istori” e Skënderbeut” (1898) “Mësime” (1894) si dhe “Gjithësija: (1895). Krahas tyre do të publikohen edhe përkthimi nga Naim Frashëri.

Arkivi Digjital i Bibliotekës Kombëtare së fundmi është pasuruar me shërbimin më të ri,  “LIBRA”, në të cilin do të publikohen në format elektronik libra të vyer të fondit arkivor të BKSH, duke i ardhur në ndihmë të gjithë studiuesve dhe përdoruesve të saj. Si një pjesë e rëndësishme e fondit e-Albanica, që përfaqëson Bibliotekën Digjitale Albanologjike të BKSH-së, krahas tyre janë përfshirë edhe tituj të rëndësishëm për historikun e periodikut shqiptar, si  “Albania”, (1896-1913); “Dituria” (1909-1929), “Hylli i Dritës” (1921-1944) dhe “LEKA” (1929-1944), “Kalendari Kombiar” dhe “Përlindj’e Shqipëniës”. Në këtë fond janë përfshirë edhe vepra të rralla të Bibliotekës Kombëtare, dorëshkrime, harta dhe periodikë, të shekujve XV-XIX në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera. Prej 10 vitesh Biblioteka Kombëtare, përmes faqes së saj zyrtare (www.bksh.al), ofron një sërë shërbimesh të rëndësishme online si: Katalogët Online, Katalogët e Digjituar, Biblioteka Digjitale, e-Bibliografi, etj., duke pasur vit pas viti rritje shumë të shpejtë të frekuentuesve dhe vizitorëve të saj.