KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Bilanci i karrierës së sportistit Majkëll Felps
majkell felps, notar, sport, lojerat olimpike, kampion

Bilanci i karrierës së sportistit Majkëll Felps

Në fund të çdo karriere bëhet një bilanc dhe ai i Majkëll Felpsit është mbresëlënës. “E kam filluar këtë sport si një fëmijë që dëshiron të bëjë diçka që nuk e ka bërë askush më parë. Prandaj, për mua, të qenit në gjendje ta lë sportin ashtu siç do të kisha dëshiruar, është plotësimi i një ëndrre. Për më tepër, e kam shijuar gjithçka kam bërë. Kam fituar 28 medalje olimpike, nga të cilat 23 janë të arta dhe kjo është padyshim një çmenduri kur e mendon.”-shprehet ai. Felps e ka të qartë se tërheqja nga sporti nuk do të jetë e lehtë. “Besoj se kjo do të jetë më e vështira, sepse do të më mungojë aspekti i konkurrencës dhe garës. Kjo do të jetë padyshim sfiduese, por, me projektet që kam dhe me gjërat që do të merrem, do të kem pak kohë për të menduar për këtë. Por do t’ju gënjeja po t’ju thoja se nuk do të më mungojë garimi.” Në finalen e 100 metrave flutur, amerikani u mposht nga singaporiani Skulling, i cili e kishte patur idhull Felps. Ne lidhje me këtë ai tha: “Është e pabesueshme! Të mendosh që unë isha një nga burimet e frymëzimit të tij, për mua do të thotë shumë, pasi dëshmon se kam qenë në gjendje ta ndryshoj sadopak këtë sport dhe kjo është ajo që kam dashur gjithmonë.” 32-vjeçari ka edhe një mesazh sa i përket dopingut në sport. “Nuk më takon mua të gjykoj për atë që duhet bërë në këtë drejtim. Unë mendoj se duhet ta pastrojmë sportin. Për mua, është thjesht e trishtuar të shikosh se njerëzit ndjejnë nevojën e përdorimit të substancave të ndalura. Thjesht më shqetëson dhe më trishton.” Më poshtë, disa nga momentet më të bukura të Felpsit, gjatë Lojrave Olimpike 2008-2012.