KRYEFAQJA » LAJME » Biletat e Morinës, midis tyre emri i vrasësit të efektivit të RENEA-s në Lazarat
Biletat e Morinës, midis tyre emri i vrasësit të efektivit të RENEA-s në Lazarat

Biletat e Morinës, midis tyre emri i vrasësit të efektivit të RENEA-s në Lazarat

Historia e ndalimit të Ismail Morinës, i cilësuar si “njeriu dron” po pasurohet gjithnjë e më shumë. Policia shqiptare bëri të ditur se i ka sekuestruar atij gjatë ndalimit të mërkurën në Tiranë dy armë, por edhe 36 bileta të vlefshme për superndeshjen Shqipëri – Serbi që do të luhet të enjten në “Elbasan Arena”. Të gjitha biletat kanë të shënuar emrat e personave dhe ende nuk është e qartë se përse ishin në duart e Morinës dhe jo të tifozëve që mendohet t’i kenë blerë. Policia do të verifikojë vërtetësinë e emrave dhe do të marri në pyetje të gjithë personat. Ka dyshime se biletat janë të falsifikuara dhe se mund të përdoreshin për qëllime të tjera gjatë takimit. Midis emrave bie në sy edhe ai i Albano Alikos, i akuzuar për vrasjen e ish pjestarit të RENEA-s Ibrahim Basha pak muaj më parë në Lazarat, i cili gjendet në paraburgim pasi është në proces gjyqësor. FSHF bëri të ditur se për derbin ballkanik ka pasur më shumë se 100 mijë kërkesa për biletë, por stadiumi “Elbasan Arena” ka vetëm 12.500 vende.
Ngjarja vjen vetëm një ditë para takimit Shqipëri – Serbi në “Elbasan Arena”, takim që po vlerësohet më shumë se sportiv. Më parë autoritetet shqiptare kishin njoftuar se Morina, xhesti i të cilit në Beograd provokoi një stuhi në marrëdhëniet shqiptaro-serbe,  nuk do të lejohej në stadium. Por në disa media Morina kish deklaruar se do të ishte në mënyrë të padiskutueshme në takimin Shqipëri-Serbi, madje se do kishte një surprizë për kryeministrin serb Vuçiç. Ende nuk është e qartë nëse zoti Vuçiç do të jetë në Tiranë pas ftesave të përsëritura të homologut të tij shqiptar Edi Rama për ta parë takimin sëbashku. Sipas mediave serbe kryeministri i tyre duket se do të preferojë një takim të rëndësishëm në Breograd përpara sfidës Shqipëri-Serbi, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht.