KRYEFAQJA » LAJME » Bino: Kujdes me antibiotikët!
Bino: Kujdes me antibiotikët!

Bino: Kujdes me antibiotikët!

Në bazë të vlerësimeve, Shqipëria renditet ndër vendet e Europës Jugore me përdorim të tepruar të antibiotikeve. Deklarata është bërë nga shefja e sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino në një intervistë dhënë gazetares së TVSH Sonila Mlloja. Ajo u bën thirrje mjekëve të përdorin në mënyrë të matur antibiotike, duke testuar më parë pacientët nëse kanë ose jo infeksion bakterial. “Të gjithë mjekët përdorin antibiotikët. Mjekët e familjes janë ata të cilët duhet të kenë më tepër kujdes me përdorimin e tyre. Mjekët duhet të japin antibiotikë për aq sa duhet, nevojitet, dhe të zgjedhin antibiotikun e përshtatshëm, jo me një game të gjere veprimi, sepse shpesh herë mjekët i bien shkurt, zgjedhin një antibiotik me gamë të gjerë veprimi dhe e përdorin atë për një kohë jo të caktuar” thotë zonja Bino.
Prof. Silva Bino kujton se më herët në spitalet tona infeksioni nga stafilokoku medicilino rezistent, kanë shkaktuar edhe vdekje për shkak të rezistencës ndaj antibiotikëve, por sot gjendja ka ndryshuar. “Një rol të rëndësishëm luan sterilizimi dhe ajo çka neve po vemë re si pasojë e një sterilizimi më të mirë e më të kujdesshëm, është një lloj uljeje e infeksioneve të plagëve post operatore, sepse në bazë të një studimi që ISHP ka kryer disa vite më parë, është konstatuar që Stafilokoku Medicilino Rezistent ishte një nga shkaktarët e plagëve post operatore” tha Prof. Silva Bino. Ajo u bën thirrje mjekëve që antibiotikët të mos shpërdorohen dhe të jepen pa recetë. Infeksionet virale nuk mund të trajtohen me antibiotikë, por të parandalohen me vaksina.