KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Birmania nis lirimin e të burgosurve politikë
Birmania nis lirimin e të burgosurve politikë

Birmania nis lirimin e të burgosurve politikë

Birmania ka nisur të lirojë të burgosurit e parë politikë, rreth 100 prej tyre, vetëm pak ditë pasi liderja e demokracisë Aung San Su Ki të formojë qeverinë e re, pas fitore në zgjedhjet e nëntorit. Lirimi i të burgosurve bëhet edhe pas nxitjes që SHBA-ja i bëri qeverisë në largim të presidentit Tein Sein për këtë çështje. Zyrtarë të burgjeve në Birmani, që ndryshe njihet edhe me emrin Mianmar, thanë për mediat se kishin liruar 18 të burgosurit e parë dhe se lirimi i të tjerëve do të vazhdojë në ditët e ardhshme.
Megjithatë, disa prej atyre që u liruan thanë se nuk ishin të kënqaur, pasi me qindra të tjerë mbetën pas hekurave dhe nuk kanë bërë asnjë krim, veçse kanë pikëpmaje politike që bien ndesh me ato të qeverisë. Të burgosurit e parë u liruan nga burgu Insein, më famëkeqi në vend, pikërisht sepse aty mbahen shumica e të burgosurve politikë.
Zyrtarisht, qeveria birmaneze tha se të burgosurit po lirohen në kuadër të Konferencës Botërore Budiste të Paqes që nis punimet në Birmani.
Gjatë viteve të sundimit të regjimit ushtarak, Birmania burgosi me mijëra gazetarë, aktivistë, politikanë, madje edhe komedianë, dhe këto burgosje ishin një prej arsyeve kryesore të sanksioneve perëndimore. Megjithëse në vitin 2011, kur qeveria e parë civile në vend zëvendësoi juntën ushtarake, u liruan shumë të burgosur, organizatat e të drejtave të njeriut thonë se shumë të tjerë janë ende pas hekurave. Sipas dokumentave zyrtare të dhjetorit të vitit të shkuar, rezulton se 129 të burgosur politikë dhe 408 aktivistë janë në pritje të gjykimit për veprime politike.
Megjithatë, birmanezët kanë shprehur besimin se me ardhjen në pushtet të nobelistes Aung San Su Ki, problemet e tyre do të zgjidhen, duke nisur nga ato politike.