KRYEFAQJA » LAJME » Bisedimet Kosovë-Serbi, Tahiri thotë se Beogradi po pengon, ndërsa pala serbe deklaron se Kosova po shpik kushte të reja

Bisedimet Kosovë-Serbi, Tahiri thotë se Beogradi po pengon, ndërsa pala serbe deklaron se Kosova po shpik kushte të reja

Qeveria e Kosovës ka fajësuar Serbinë për bllokim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të zhvilluar në Bruksel, duke mos ndërmarrë asnjë hap në drejtim të përmbushjes së detyrimeve të saj”. “Pa dyshim se në Serbi mungon vullneti politik për të respektuar marrëveshjet e Brukselit, në veçanti ato të kodit telefonik dhe për energjetikën”, thuhet në raport. Raporti gjashtë mujor për procesin e dialogut, i hartuar nga Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, thekson se “moszbatimi i detyrimeve në veçanti ka të bëjë me kodin telefonik të Kosovës dhe marrëveshjen për funksionalizimin e sistemit të pavarur të energjetikës.” “Të dyja këto marrëveshje i ka bllokuar Serbia”, thuhet në raport, në të cilin nënvizohet se për këto çështje është diskutuar në Bruksel për më shumë se 5 vite. Ministrja thotë se ka njoftuar rregullisht BE-në për bllokimin që Serbia po i bën Kosovës, por BE-ja nuk ka bërë presion mbi Serbinë, siç ka kërkuar Kosova. Në raport thuhet se Qeveria është këmbëngulëse se nuk do të ndërmarrë asnjë hap në drejtim të zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin, deri sa Serbia të mos heqë bllokadën për kodin telefonik, të mos zbatojë marrëveshjen për energjetikën dhe të mos heqë barrikadën nga ura qendrore në Mitrovicë. Raporti ndërkohë ka ngjallur reagimin e palës serbe. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka deklaruar se kushtëzimet e reja të Prishtinës do të duhej të trajtoheshin nga përfaqëusesit e bashkësisë ndërkombëtare, sepse me këtë po vihet në pikëpyetje, kredibiliteti i gjithë marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. Zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel është kusht i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve, kanë deklaruar zyrtarë evropianë, ndërkohë që vetë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për siguri dhe politikë të jashtme, Federica Mogherini, ka kërkuar nga palët që të përmbushin detyrimet e tyre.