KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Bolivi, minatorët protestues rrahin për vdekje zv/ministrin e brenshëm

Bolivi, minatorët protestues rrahin për vdekje zv/ministrin e brenshëm

Punëtorët e minierave në Bolivi, të cilët përgjatë javëve të fundit kanë organizuar protesta të ashpra ndaj qeverisë, kanë rrahur për vdekje zëvendësministrin e brendshëm si dhe truprojën e tij, pasi i morën peng mbrëmjen e së enjtes. Njoftimi është dhënë nga qeveria boliviane që e ka cilësuar aktin një veprim frikacakësh dhe një ngjarje tragjike.
Në një deklarim për mediat, Ministri i Brendshëm, Karlos Romero, u shpreh se të gjitha shenjat e deritanishme tregojnë se ky është edhe skenari më i mundshëm. Ai shtoi se rimarrja e trupit në këtë moment është thuajse e pamundur, por nënvizoi se autoritetet do të mundohen që t’a realizojnë diçka të tillë brenda ditëve të ardhshme.
Ndërkohë, ngjarja u dënua edhe nga Presidenti i vendit, Evo Morales,  i cili u shpreh se ishte mjaft i prekur nga ky incident fatal.
Para kësaj ngjarjeje, zëvendësministri i brendshëm Rodolfo Illanes, kishte deklaruar për radion boliviane se kushti i protestuesve për lirimin e tij ishte nisja e negociatave për të diskutuar ndryshime në legjislacionin e minierave. Por duke parë refuzimin e Qeverisë për të bërë një gjë të tillë, protestuesit mund të kenë kryer edhe aktin fatal.
Përgjatë javëve të fundit, punëtorët e minierave kanë kërkuar ndryshime në legjislacion, përfshirë shtimin e koncesioneve, të drejtën për të punuar për kompani private, një ndikim më të gjerë të sindikatave të tyre. Ata janë përplasur disa herë me policinë, duke qëlluar me gurë dhe sende të forta në drejtim të saj, ndërkohë që autoritetet janë kundërpërgjigjur me mjete të ndryshme, përfshirë armët e zjarrit. Vetëm gjatë orëve të fundit, janë arrestuar afro 100 protestues, ndërkohë që dy prej tyre janë vrarë në demonstratë.