KRYEFAQJA » LAJME » Bolt triumfon në Pekin
Bolt triumfon në Pekin

Bolt triumfon në Pekin

Jusein Bolt ka treguar edhe një herë se mbetet “mbreti i padiskutueshëm” i garave të shpejtësisë, duke fituar finalen e 100 metrave për meshkuj në Kampionatin Botëror të Atletikës për Të Rritur, që po mbahet në kryeqytetin e Kinës, Pekin. Në një finale historike, ku të 9 garuesit e kishin përshkuar distancën prej 100 metrash me kohë nën 10 sekonda, pritej një luftë e fortë dhe kështu ka ndodhur. Ka qenë amerikani Xhastin Gatlin, njeriu që kishte kohën më të mirë të vitit në këtë garë, ai që ka rrezikuar ta shkurorëzojë xhamajkanin. Megjithatë, Bolt e ka shmangur edhe këtë surprizë, duke dhënë maksimumin dhe duke fituar në fund me epërsi minimale, pasi vetëm një të qindtat e sekondës i kanë siguruar atij medaljen e artë. 9.79 ka qenë koha e xhamajkanit, ndërsa 9.80 ka qenë ajo Gatlinit. Rivaliteti i kësaj gare u pasqyrua edhe në faktin se për vendin e tretë janë dhënë dy medalje, pasi amerikani Trejvon Bromell dhe kanadezi Andre De Gras mbërritën në finish me kohën e njëjtë. 9 sekonda e 92 të qindtat. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, edhe emocionet e kësaj gare u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, nën komentin e veteranit të transmetimeve sportive, Vladimir Grillo, dhe specialistit të mirënjohur, Prof. Albert Karriqi.