KRYEFAQJA » LAJME » Bombolat e gazit rrezik real
Prezantohet “Masterplani i Gazit për Shqipërinë”

Bombolat e gazit rrezik real

Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial, bëri të njohur të mërkurën për median aktivitetin e tij gjatë vitit 2015, si dhe ditët e para për vitin 2016. Vitin e kaluar janë kryer gjithsej 1 440 inspektime dhe kontrolluar 3 260 paisje. Inspektoriati ka gjatur parregullsi dhe ka vendosur gjoba me një vlerë totale prej 1.8 milionë lekësh, ndërsa ka bllokuar 36 subjekte. Vetëm muajin e parë të vitit 2016 inspektoriati ka kontrolluar 222 paisje nën presion.
Informacioni nuk ka hollësi rreth ngjarjeve të ndodhura sikurse ishte ajo e gushtit të vitit të kaluar në zonën e Don Boskos në Tiranë, ku nga shpërthimi një bombole 21 persona u plagosën, apo edhe ngjarje të tjera, më e fundit ajo në Beragozhdë të Pogradecit tre ditë më parë, ku 29 persona u plagosën, midis tyre dy në gjendje të rëndë.
Specialistët e përdorimit të gazit për nevoja biznesi apo shtëpiake, kanë kohë që kanë ngritur alarmin për egzistencën e një tregu kaotik dhe jashtë kontrollit. Sipas tyre në Shqipëri qarkullojnë rreth 50 mijë bombula gazi, por vetëm 5 për qind e tyre janë të kolauduara. Pjesa më e madhe e tyre janë bombola të teknologjive të vjetra, që pasi janë hequr nga qarkullimi në vende të ndryshme të Europës janë sjellë në Shqipëri.
Gjithnjë sipas specialistëve nevojitet një kontroll i rreptë jo vetëm për gjendjej e bombolave, por edhe cilësinë e gazit që përdoret për gatim dhe për transport. Ata thonë se është emergjente edhe nevoja e edukimit të popullatës për përdorimin e gazit, produkt i cili ndonëse ka hyrë vonë në Shqipëri po përdoret masivisht edhe për shkak të leverdisë ekonomike. Sipas specialistëve autoritetet duhet të ndërhyjnë edhe me mekanizma ekonomike për të bërë ti bërë të mundur popullatës rinovimin e paisjeve të transportit, mbushjes dhe përdorimit të gazit. Kjo bëhet më e domosdoshme pasi Shqipëria po përgatitet të jetë një treg i rëndësishëm i përdorimit të gazit me rastin e ndërtimit të Gazsjellësit Transadriatik.