KRYEFAQJA » LAJME » Bosnje, përkujtohet Srebrenica
Bosnje, përkujtohet Srebrenica

Bosnje, përkujtohet Srebrenica

Në Qendrën Memoriale Potoçari në Bosnje, u varrosen sot 127 viktima të tjera të identifikuara të gjenocidit të Srebrenicës. Mes tyre 12 ishin të mitur. Megjithese në ceremoni morën pjesë me mijëra familje, vetëm një pjesë e vogël e tyre arriti të varroste të dashurit e identifikuar, të vrarë gjatë luftës. “E vërteta dhe drejtësia janë të nevojshme si për serbët, edhe për boshnjakët”, tha kryetari i Bashkisë së Srebrenicës, Qamil Durakoviq. Kurse kryesuesi i presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegoviq, tha se kriminelët duhet të përballen me dënime, ndërsa viktimat me drejtësi.
Në Bosnjë përvjetori i masakrës së Srebrenicës shënohet çdo vit më 11 korrik me përkujtim të kësaj dite të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës hynë në qytet dhe, në ditët që pasuan, vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë. Ndërsa vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave, identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdon ende. Asnjë institucion i Serbisë, as këtë vit, nuk e ka shënuar zyrtarisht përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, pavarësisht se në vitin 2004, gjykata e Kombeve të Bashkuara i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid. Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit në gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të veprojnë ne të njëjtën mënyrë.