KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » “Brain and Heart” për Shqipërinë
porto palermo

“Brain and Heart” për Shqipërinë

Blogu mjaft popullor italian “Brain and heart” – “Mendje dhe Zemer” u ka propozuar lexuesve të tij Shqipërinë e Jugut për të kaluar 7 ditë pushime aventure. Duke publikuar foto, shpjegime të imtësishme, e një program të saktë për çdo ditë të kaluar aty. Destinacioni kryesor dhe vendqëndrimi do të jetë Jala, ku gjendet një kamping me çadra për 200 vetë me shërbime “all-inclused”, të gjitha të përfshira! Në ditën e parë programohen eskursione me 70 itinerare ecjesh dhe ngjitjesh, pa humbur asnjëherë pamjen e detit, e prej lartësisë ofrohen pamje si “Kopshti i Hyjnive” apo mund të zbritet e të bëhet një banjë në plazh, për t’u çlodhur. Ditën e dytë shëtitje me barka, që mbajnë 6 deri në 12 vetë, me të cilat mund të eksplorohen shpella dhe plazhe të vogla përgjatë bregut rrotull. Ditën e tretë e ka radhën aventura me kajak në brigje të gurta agresive, si për shembull ato të Karaburunit. Ditën e katërt, për rreth 40 minuta, zhytje në det në thellësinë deri 5-6 metra. Ditën e pestë përsëri shëtitje me kajak, por nga plazhi i Akuariumit deri në fshatin Livadhe. Ditën e gjashtë vizitë në Porto Palermo dhe kalanë e Ali Pashës, por edhe të tjera zhytje në botën e pasur nënujore aty me objekte arkeologjike. E në ditën e shtatë mund të përsëritet sipas dëshirës një prej përvojave të ditëve të mëparshme. E kostoja për njeri e kësaj pakete është vetëm 500 euro. Çdo ditë koha do të shfrytëzohet në maksimum dhe çastet e lumturisë do të jenë kaq të shumta dhe intensive, saqë kur të ktheheni në shtëpi do t’u duket sikur keni qenë një muaj me pushime e jo një javë, përkufizon për Rivierën Shqiptare, faqja online “Brain and Heart”.