KRYEFAQJA » LAJME » BRAZILI TRIUMFON 3-0 NË DERBIN ME ARGJENTINËN

BRAZILI TRIUMFON 3-0 NË DERBIN ME ARGJENTINËN

Përballja e dy rivaleve historike, Brazilit dhe Argjentinës, e vlefshme për javën e 11-të të grupit të Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018” për Amerikën e Jugut është fituar nga vendasit me rezultatin 3-0. Kjo ndeshje, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në orën e para të mëngjesit të së premtes, ka parë një Brazil të përsosur, përballë një Argjentine të zbehtë në të gjitha drejtimet, pavarsisht pranisë së Lionel Mesit në fushë. Pjesa e parë e këtij dueli gjigandësh ka nisur e barabartë, por do të jetë Brazili që do godasë i pari, pasi Kutinjo do të përfitojë në minutën e 25-të nga hapësira e krijuar nga rreshtimi i gabuar i mbrojtjes argjentinas dhe do të godasë në kufijtë e zonës, duke mposhtur portierin Romero dhe duke përshëndetur rrjetën. Argjentina mundohet të reagojë, por me një Lionel Mesi në hije dhe të markuar mirë, përpjekjet e saj do të kufizohen në goditjet nga jashtë zonës, në njërën prej të cilave sidoqoftë, është dashur pritja e portierit vendas për të shmangur golin. Në anën tjetër të fushës, një tjetër rreshtimi i gabuar i mbrojtjes argjentinase do t’i japë mundësi Nejmarit në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, të gjejë një tjetër gol për Brazilin, që shkon kështu në pushim duke kryesuar me shifrat 2-0. Pjesa e dytë e shikon Argjentinën sërish të mjegullt në lojën e saj, përballë një Brazili pragmatist dhe Paulinjo do të shohë topin t’i largohet nga vija fatale nga mbrojtja argjentinase, pasi kishte shmangur edhe portierin. Megjithatë, pak minuta më vonë, në të 59-ën, ai do të korrigjojë shënjestrën, duke përfituar edhe nga një mbrojtje argjentinase në një ditë mjaft të keqe, dhe do të trefishojë epërsinë e vendasve. Argjentina është davaritur nga fusha e lojës dhe, ndonëse shkon dëm edhe dy raste për shënim me anë të Firminjos, Brazili fiton 3-0 dhe merr kreun e renditjes së grupit amerikanolatin të Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”.