KRYEFAQJA » LAJME » Bregu: Integerimi i vendeve të Ballkanit në BE të mos jetë i pambarimtë
Bregu: Integerimi i vendeve të Ballkanit në BE të mos jetë i pambarimtë

Bregu: Integerimi i vendeve të Ballkanit në BE të mos jetë i pambarimtë

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Majlinda Bregu, ka përsëritur nevojën e çeljes së negociatave mes Shqipërisë e BE, pasi sipas saj ky proces duhet të mos jetë i pambarimtë për vendet e Ballkanit. Zonja Bregu i bëri komentet e saj në panelin e mbledhur enkas për dialogun mbi politikën e zgjerimit të BE-së në Bruksel, nga EPC dhe Drejtoria e Përgjithshme përkatëse e KE. “Kam vënë re se, sa herë flasim për historinë e integrimit europian të vendeve të Ballkanit, gjithmonë flasin vendet anëtare të parët, e kjo duket njësoj me situatën kur dikush ju pyet dhe mami përgjigjet për ju” tha zonja Bregu, ish Ministre e Integrimit të Shqipërisë. “Ka një paradoks në ditët e sotme, sepse, ndërsa procesi duket se i afrohet realizimit, nuk ka asnjëherë një datë përfundimtare për destinacionin. Kjo e bën procesin të vështirë. Rrit pritshmëritë, por pa një kalendar, dhe ky nuk është mesazhi i duhur për qeveritë tona, deri më tani. Mesazhet e buta, apo lyerjet me gjalp kikiriku, siç serviren në raportet e përgatitura nga Komisioni, me gjithë respektin nuk ndihmojnë vendet tona. E vërteta është aty. Nëse ka standarde që mungojnë, ne duhet të ecim dhe ju duhet të na ndihmoni edhe më shumë, që ato të vendosen. Gjithmonë merr kohë, por duhet të na mbajë gjallë sfidën dhe dëshirën, e jo të rrimë të presim me frymën se, kur do të tresin vendet anëtare zgjerimin” u tha zonja Bregu të pranishmëve. Sipas saj përtej “stabilitetit të rajonit”, standardi për demokracinë dhe qeverisjen e mirë duhet monitoruar, që ky proces të mos jetë i pambarimtë për vendet e Ballkanit. Me deklaratën se “nuk ka zgjerim për 5 vitet e ardhshme”, Komisioni nxiti qeveritë e rajonit që të fokusohen në axhendat e tyre kombëtare gjatë mandatit 4-vjeçar, tha ish ministrja Bregu.
Simon Mordue, drejtori i Njësisë për Politika dhe Strategji në KE, ka kujtuar anëtarësimin e Kroacisë, bisedimet me Malin e Zi, kandidaturat e Serbisë dhe Shqipërisë, MSA-të me Bosnjen dhe me Kosovën, si zhvillime, që sipas tij dëshmojnë për vazhdimin e procesit të zgjerimit. Shqipëria u përmend disa herë gjatë fjalës së tij. “Dy sfidat kyçe, me të cilat përballet Shqipëria tani, janë reforma e drejtësisë dhe dekriminalizimi dhe për ne është inkurajuese të shohim se ka lëvizje për konsensus të gjerë ndërpartiak, e mendoj se ky do të ishte një sinjal i fortë pozitiv nga qeveria dhe opozita në Shqipëri. Shqipëria mori statusin e vendit kandidat dhe po ecën, për mendimin tim, mjaft  mirë në drejtim të çeljes së negociatave në të ardhmen. Kjo tregon se, pavarësisht të gjithave, është e qartë si kristali që procesi, megjithëse nuk po ecën me shpejtësinë e dëshiruar, po vazhdon përpara, ndaj projektimi i vizionit është shumë i rëndësishëm. Kjo, për të mbyllur tregimet se zgjerimi është i mundur vetëm në teori, sepse nuk është ashtu. Janë reformat dhe angazhimi i qeverive për ato reforma, që e mbyll këtë punë” tha zoti Mordue.
Më 14 tetor, KE pritet të publikojë vlerësimet për Shqipërinë, por në të nuk parashikohet ndonjë befasi.