KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Britani e Madhe, rriten presionet ndaj kreut të Partisë Laburiste Xheremi Korbin
Briani e Madhe, rriten presionet ndaj kreut të Partisë Laburiste Xheremi Korbin

Britani e Madhe, rriten presionet ndaj kreut të Partisë Laburiste Xheremi Korbin

Ish anëtarja e kabinetit në hije të Britanisë, Anxhela Igëll do ta sfidojë zyrtarisht kreun e Partisë Laburiste Xheremi Korbin, për drejtimin e partisë, duke theksuar se synon të shpëtojë partinë. Një tjetër pretendent potencial për drejtimin e partisë është edhe Ouen Smith, i cili pritet të zhvillojë më vonë bisedime me Korbin, për ta paralajmëruar atë për përçarjen e partisë. Zoti Korbin ka refuzuar të dorëhiqet nga drejtimi i partisë ndërsa humbi edhe mbështetjen e shumicës së deputetëve laburistë. Ai është përballur me një sërë dorëheqjesh të anëtarëve dhe drejtuesve kyç të partisë së tij, por gjithmonë është shprehur se nuk do të tradhëtonte besimin e anëtarëve të partisë që e zgjodhën atë vitin e shkuar. Ndërkohë, Komiteti Kombëtar Ekzekutiv, që është organi qeverisës i laburistëve, pritet të vendosë këtë javë nëse Korbin do të ketë nevojë për mbështetjen e 51 deputetëve për t’u përfshirë në garën për lidershipin, një kusht ky i domosdoshëm për kandidatët e tjerë. Gara për kreun e Partise Laburiste do të zhvillohet para konferencës vjetore të partisë, e cila mbahet në shtator të këtij viti.