KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Britani, Gjykata e Lartë: Vendimi për Brexit i takon parlamentit, jo qeverisë

Britani, Gjykata e Lartë: Vendimi për Brexit i takon parlamentit, jo qeverisë

Gjykata e Lartë në Britani ka vendosur t’ia delegojë Parlamentit të drejtën për të vendosur përmes votimit nëse Mbretëria e Bashkuar mund të fillojë procesin e largimit nga Bashkimi Evropian. Kjo do të thotë se qeveria nuk mund të hapë vetë Nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, për nisjen e bisedimeve formale me BE-në. Vendimi i Gjykatës së Lartë është një goditje e madhe për kryeministren Theresa May dhe të gjithë bashkëpunëtorët e fushatës pro Brexit. Vendimi i marrë nga një emër i lartë i drejtësisë, ka të ngjarë të ngadalësojë ritmin e largimit të Londrës nga blloku 28-vendësh dhe është njëherësh një pengesë e madhe për shefen e re të qeverisë së Londrës, e cila që kur ka marrë postin ka këmbëngulur se do të jetë qeveria e saj ajo që do të vendosë mbi mënyrën e shkëputjes. Vendimi, që është konsideruar politik, mund të apelohet dhe të kërkohet një seancë e posaçme gjatë nëntorit, sërish në Gjykatën e Lartë. Gjykata mori 2 javë e gjysmë kohë për të arritur në këtë përfundim. Por avokatët e qeverisë argumentojnë se kryeministri ka fuqinë e tij ekzekutive. Analistët thonë se miratimi parlamentar është i nevojshëm për një ndryshim të tillë themelor që do ndikoje në jetën e miliona qytetarëve në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo periudhë trazirash për Mbretërinë e  Bashkuar pason referendumin e qershorit ku Brexit dominoi me 51.9% të votuesve që donin të largoheshin dhe 48.1% që donin të ishin pjesë e Unionit.