KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Britani, vazhdojnë përçarjet brenda partisë Laburiste
Briani e Madhe, rriten presionet ndaj kreut të Partisë Laburiste Xheremi Korbin

Britani, vazhdojnë përçarjet brenda partisë Laburiste

Kreu i partisë Laburiste Xheremi Korbin ka bërë sot të ditur emërime të reja në kabinetin e tij në hije, pas një sërë dorëheqjesh, përmes të cilave persona kyç në parti protestuan ndaj lidershipit të Korbin. Zoti Korbin humbi dje 12 anëtarë të kabinetit të tij në hije, dhe këtë të hënë 5 ministra në hije, të cilët kritikojnë performancën e Korbin gjatë referendumit për daljen nga Bashkimi Europian. Vetë Korbin u shpreh se i vinte keq për këto dorëheqje, por ndërkohë nuk ka ndërmend të largohet vetë nga posti, ndërsa u shpreh i gatshëm për t’u përballur me zgjedhje të reja demokratike për udhëheqjen e partisë. “Ata që duan të ndryshojnë lidershipin laburist, duhet të përballen me zgjedhje demokratike, ku unë do të jem një kandidat”, tha ai. Deputetët laburistë pritet të diskutojnë një mocion mosbesimi ndaj Korbin, të paraqitur nga dy deputetë, ndërkohë që nesër pritet të zhvillohet një votim i fshehtë në lidhje me këtë çështje.