KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Britania do të refuzoje referendumin e dytë skocez për pavarësi

Britania do të refuzoje referendumin e dytë skocez për pavarësi

Qeveria britanike pritet të refuzojë thirrjet për një referendum të dytë pavarësie në Skoci përpara “Brexit”-it, kjo sepse kryeministrja Theresa May është shprehur se “nuk është koha e duhur”. Kreu i ekzekutivit britanik tha se fokusi tashmë duhet të kthehet te sigurimi i marrëveshjes më të mirë të mundshme në negociatat e “Brexit” për Mbretërinë e Bashkuar në tërësi. Udhëheqësja e konservatorëve skocezë, Davidson tha se kërkesa e Nicola Sturgeon për votimin brenda pranverës së vitit 2019 do të refuzohet përfundimisht. Stërgjën bëri thirrje për mbajtjen e një referendumi të dytë në vjeshtën e 2018-s apo pranverën e 2019-s, gjë që në fakt përputhet me afatin përfundimtar të negociatave mbi daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Por May këmbëngul kur thotë se mesazhi i saj ndaj Stërgjën ka qenë dhe është shumë i qartë: tani nuk është koha! Kryeministrja britanike shtoi se “ne duhet të punojmë së bashku për arritjen e marrëveshjes më të mirë për Skocinë dhe për Britaninë, për partneritetin tonë me Bashkimin Europian. Do të ishte e padrejtë për popullin skocez, që të detyrohet të marrin një vendim të rëndësishëm, pa pasur informacionet e duhura për ta marrë atë vendim”. Skocia votoi 55% në favor të qëndrimit në Britaninë e Madhe në referendumin e shtatorit 2014, por pas vendimit të vitit të kaluar për “Brexit”, Stërgjën kërkon një tjetër referendum për vendin.