KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Britania e Madhe i thotë lamtumirë Bashkimit Europian
Britania e Madhe i thotë lamtumirë Bashkimit Europian

Britania e Madhe i thotë lamtumirë Bashkimit Europian

Britania e Madhe ka votuar në Referendum për të qëndruar jashtë Bashkimit Europian. Sipas BBC, në përfundim të numërimit rezultoi që 51.9 përqind e qytetarëve britanikë kanë votuar që të dalin nga unioni dhe 48.1 përqind kanë votuar pro qëndrimit në BE.
E përkthyer në vota 17,410,742 e qytetarëve votuan që të dalin nga BE dhe 16,141,241 votuan pro qëndrimit në union.
Uellsi dhe Anglia kanë votuar pro daljes së Britanisë së Madhe nga BE, ndërsa Irlanda e Veriut dhe Skocia kanë votuar kundër daljes nga BE.
Zyrtarët e numërimit të votave thanë se pjesëmarrja ishte e lartë në këtë referendum, i cili kishte të bënte me emigracionin, sovranitetin, sigurinë dhe të ardhmen ekonomike të Britanisë.
Udhëheqësi i fushatës për largimin nga BE-ja, Nigel Farage, tha se 23 qershori do të hyjë në historinë e Britanisë si “Dita e Pavarësisë”. Ai i bëri thirrje kryeministrit David Cameron të japë dorëheqjen.
Pasiguria që pason daljen nga BE-ja bëri që paundi britanik të luhatej shumë duke shkuar në nivelin e vitit 1985. Lëkundje ka patur edhe në bursa.