KRYEFAQJA » LAJME » Britania, Gjermania dhe SHBA mbështesin Kosovën në UNESCO
Britania, Gjermania dhe SHBA mbështesin Kosovën në UNESCO

Britania, Gjermania dhe SHBA mbështesin Kosovën në UNESCO

Ambasadorët e Britanisë, Gjermanisë dhe SHBA-së në UNESKO, përmes një deklarate të përbashkët, kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Për ambasadorët e tre vendeve, “mbikqyrja e mbrojtjes së monumenteve të kulturës, duke përfshirë dhe ato ortodokse serbe, do të avanconte qëllimet e UNESCO-s dhe do të sillte përfitime për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe për të gjithë komunitetin botëror”. “Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do ti kontribuonte paqes dhe sigurisë duke promovuar bashkëpunim ndërkombëtarë përmes edukimit, shkencës dhe kulturës, ashtu si edhe zhvillimit ekonomik, si një përfitim për të gjithë popullin e Kosovës dhe rajonit” vlerësohet në deklaratë.   “Me anëtarësimin në UNESCO vinë edhe përgjegjësitë për Qeverinë e Kosovës. Ne jemi të gatshëm të punojmë  me qeverinë e Kosovës për përmbushjen e obligimeve të anëtarësimit, deklaruan ambasadorët.
Ndërkohë, tridhjetë media të Kosovës i kanë dërguar një letër drejtoreshës së përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), Irina Bokova, ku mbështesin kërkesën e Kosovës për anëtarësim. “Që Kosova të ketë sukses në përpjekjet e saj për të ndërtuar një shoqëri të fortë, demokratike dhe të hapur, me respekt të plotë për liritë individuale dhe të drejtat e njeriut, përfshirë lirinë e patjetërsueshme të shprehjes, ne na duhen mundësi të barabarta”. “Dhënia e mundësive dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për të rinjtë tanë në arsim, shkencë dhe kulturë mund të jetë e dobishme për të gjithë. Kjo është arsyeja pse ne sot ju nxisim që të mbështetni kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO”, shkruhet në letrën që mediat kosovare i kane dërguar zonjës Bokova.
Këto zhvillime vijnë ndërsa në Paris ka nisur punimet e Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s, e cila më 9 nëntor do të votojë për pranimin e plotë të Kosovës në këtë organizatë. Nga 195 anëtarë që ka asambleja, në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë, do të duhet të votojnë dy të tretat (2/3) e tyre apo 130 shtete. Kosovën deri më sot e kanë njohur 111 shtete. Për të siguruar pranimin e plotë duhet të marre edhe votat e vendeve të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit.