KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Britanikja “Daily Telegraph”: Trump i fshehu Amerikës 50 milion dollarë taksa

Britanikja “Daily Telegraph”: Trump i fshehu Amerikës 50 milion dollarë taksa

Një investim i maskuar si borxh për të fshehur rreth 50 milionë dollarë taksa, është akuza që e përditshmja britanike “Daily Telegraph” ngre ndaj kandidatit republikan për president, Donald Trump, mbi bazën e një dokumenti të firmosur nga ai në vitin 2007 dhe të pikasur nga një hetim tremujor i gazetës për miliarderin amerikan. Dokumentet e publikuara nga e përditshmja britanike dolën nga një procedurë ligjore e nisur kundër ish-punonjësve të “Bayrock Group”, shoqëri pasurish të patundshme partnere e Trumpit, që kishte arritur një marrëveshje me kompaninë islandeze ”FL Group”, tashmë nën hetim. “Nuk mund të them ende nëse Trump ka përgjegjësi ligjore”, deklaroi Frederick Oberlander, avokat i një prej ish-punonjësve. “Por, si qytetar amerikan jam i shqetësuar nga ideja që të jem i qeverisur nga një president që mund të ketë qenë kaq neglizhent apo që mund ta ketë injoruar qëllimisht këtë fakt”, theksoi ai. Publikimi i këtyre dokumenteve nga gazeta britanike vjen në një kohë kur miliarderi ka shpeshtuar retorikën ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe kryeministrit, David Cameron.