KRYEFAQJA » LAJME » Broudus: Po mësohem me ekipin shqiptar

Broudus: Po mësohem me ekipin shqiptar

Rishoun Broudus është “importi” i parë i huaj në basketbollin shqiptar, por edhe kombëtaren shqiptare. Me tre takime të luajtura deri më tani, amerikani ka rezultuar një përforcim i goditur për Kombëtaren kuqezi të meshkujve. 7 pikë në humbjen 47-86 në Gjeorgji përballë vendasve, 26 pikë në 73-113 me Malin e Zi në Tiranë dhe 23 pikë të tjera në humbjen 60-69 në Sllovaki të mërkurën, e kanë shndërruar atë në një lojtar kyç të Kombëtares, krahas Gerti Shimës dhe Endrit Hysenagolli. Vetë 32-vjeçari e pranon se është ende në proces përshtatjeje.”Kjo ishte edhe ndeshja jonë e 3-të si skuadër e re dhe e 3-ta imja me Shqipërinë, sepse unë iu bashkova ekipit pak ditë para nisjes së eliminatoreve. Unë ende jam duke u mësuar dhe duke u përshtatur me ekipin tim, me shokët e skuadrës, për të parë se ç’janë në gjendje të bëjnë e kështu me radhë” i tha Broudus TVSH.
Shqipëria e ka humbur edhe ndeshjen e tretë, të luajtur në Sllovaki përballë vendasve, por për basketbollistin amerikan, tashmë “kuqezi”, e rëndësishme është ajo që skuadra mëson në parket. “Ishte një ndeshje e vështirë për ne ajo me Sllovakinë, ndonëse për ne çdo ndeshje do të jetë e vështirë, pavarsisht kundërshtarit. Gjithçka ka të bëjë me lojtarët e skuadrës që të luajnë me njëri-tjetrin, të funksionojmë si grup dhe të rritemi bashkë”.
Ndeshja e radhës për Shqipërinë është ajo e së shtunës në Tiranë me Gjeorgjinë, ku Rishoun Broudus do të jetë sërisht në parket.