KRYEFAQJA » LAJME » Brownfield : SHBA po presin miratimin e shpejtë të Reformës në Drejtësi

Brownfield : SHBA po presin miratimin e shpejtë të Reformës në Drejtësi

SHBA po presin miratimin e shpejtë të Reformës në Drejtësi, për të vijuar me alokimin e burimeve të nevojshme për projektet e fazës së zbatimit të saj. Ky është mesazhi që i ka përcjellë Ndihmës Sekretari i Shtetit, Ambasadori William Brownfield kreut të parlamentit shqiptar Ilir Meta gjatë takimit në Departamentin e Shtetit. Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e kreut të kuvendit gjithë biseda është përqëndruar rreth çështjes më të rëndësishme për momentin në Shqipëri.

Zoti Meta e falënderoi Ndihmës Sekretarin e Shtetit për mbështetjen e vazhdueshme, që SHBA i japin Shqipërisë në të gjitha fushat dhe veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai premtoi bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Shtetit, Departamentin e Drejtësisë dhe Departamentin e Sigurisë, kontributi i të cilëve ka një rëndësi jetike për suksesin e plotë të Reformës në Drejtësi. Zoti Meta shprehu angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë për të kaluar këtë reformë sa më parë, për të rikthyer besimin e publikut te shteti ligjor, për të luftuar me efikasitet korrupsionin dhe krimin e organizuar, për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nisur sa më parë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ndihmës Sekretari i Shtetit, Ambasadori Brownfield vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e reformave dhe theksoi se SHBA mbështesin miratimin sa më parë të Reformës në Drejtësi, si një hap i rëndësishëm për rritjen e standardeve të sigurisë dhe shtetit ligjor të një vendi partner, anëtar në NATO dhe kandidat për në Bashkimin Evropian. Ai premtoi se mbështetja e SHBA do të jetë e vazhdueshme edhe në fazën e implementimit të reformës në drejtësi dhe ngritjes së institucioneve të reja që ajo parashikon, përmes financimit të projekteve të trajnimit dhe përmirësimit teknologjik të strukturave të specializuara të zbatimit te ligjit.

Tema të rëndësishme të bashkëbisedimit kanë qenë edhe rreziqet që vijnë nga organizatat kriminale të trafikut të drogës dhe armëve, terrorizmi, dhe kriza e refugjatëve, si dhe nevojën për një kontroll më të mirë të kufijve përmes një bashkëpunimi më të ngushtë mes agjencive ligjzbatuese të vendeve të rajonit dhe atyre partnere.Ambasadori Brownfield u angazhua për thellimin e partneritetit SHBA-Shqipëri për ndërtimin e kapaciteteve të monitorimit të kufijve, shkëmbimit në kohë reale të të dhënave dhe parandalimit të veprimtarive të paligjshme që rrezikojnë sigurinë kombëtare.