KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Bruksel: Konferenca ndërkombëtare e donatorëve për Afganistanin

Bruksel: Konferenca ndërkombëtare e donatorëve për Afganistanin

Sot në Bruksel nisi konferenca ndërkombëtare e donatorëve për Afganistanin. Më shumë miliarda për vendin e shkatërruar nga lufta, por edhe ripranim të refugjatëve afganë nga Europa ishin temat që u diskutuan në konferencë. Në konferencën e organizuar nga BE dhe qeveria afgane, morën pjesë 70 vende e 20 organizata ndërkombëtare. Të pranishëm ishin edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon e presidenti afgan, Ashraf Ghani. Qeveria afgane ka bërë të ditur, se ndihma financiare është “vendimtare”, për të pasur “më shumë stabilitet. Prandaj Bashkimi Evropian dhe Afganistani nënshkruan marrëveshjen e cila do t’i sigurojë qeverisë së Afganistanit një shumë prej 200 milionë eurosh për fuqizimin e institucioneve shtetërore. Komisioneri Evropian për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim, Neven Mimica tha se fondi do të lëshohet me realizimin e disa reformave në sfera të ndryshme nga Afganistani, të cilat do të jenë në nivel të përshtatshëm.” Në konferencë u diskutua edhe për refugjatët që vijnë nga Afganistani në Europë. Afganët përbëjnë grupin e dytë më të madh të azilkërkuesve në Europë. BE ndërkohë ka intensifikuar përpjekjet me Afganistanin në mënyrë që ky vend të ripranojë azilkërkuesit e refuzuar.