KRYEFAQJA » LAJME » Bruksel, Kosova dhe Serbia bisedime për normalizimin e marrëdhënieve
Bruksel, Kosova dhe Serbia bisedime për normalizimin e marrëdhënieve

Bruksel, Kosova dhe Serbia bisedime për normalizimin e marrëdhënieve

Sot në Bruksel, Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime për normalizimin e marrëdhënieve pas disa muajsh ndërprerjeje. Në takimin, që zhvillohet në zyrën e shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogerini, marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa nga Kosova, ndërsa nga pala serbe, Presidenti Tomisllav Nikoliç dhe kryeministri Aleksandër Vuçiç. Takimi në Bruksel në nivelin më të lartë politik nga të dy vendet, zhvillohet në një periudhë marrëdhëniesh jo të mira, sidomos pas arrestimit nga policia franceze të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, bazuar në një flet-arresti të Serbisë dhe tentimit të kësaj të fundit të fusë në Kosovë një tren me mbishkrime “nacionaliste”. Pikërisht këto tensione kanë nxitur shefen e diplomacisë evropiane, Mogerini, të ftojë në takim përfaqësuesit më të lartë të Kosovës dhe Serbisë. Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Mogerinit, ka thënë se progresi në normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë ka një rëndësi të madhe. Këto dy vende, prej gati pesë vjetësh zhvillojnë dialog. Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u nënshkrua më 19 prill të vitit 2013.