KRYEFAQJA » LAJME » Bruksel, Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje historike
Bruksel, Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje historike

Bruksel, Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje historike

Kosova e Serbia kanë mbyllur të martën bisedimet në Bruksel me nënshkrimin e 4 marrëveshjeve, duke shënuar një hap të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis tyre. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, tha se “katër marrëveshje u nënshkruan pas një dite të gjatë të dialogut Serbi – Kosovë”, ndërsa në Tuiter ajo vlerësoi se kjo është “arritje madhore në procesin e normalizimit”. Marrëveshjet kanë të bëjnë me  asociacionin e komunave me popullatë shumicë serbe, për telekomunikimin, për energjetikën dhe për të ashtuquajturin “Park i paqes”.
Nënshkrimin e këtyre dokumenteve e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai tha se të gjitha marrëveshjet janë arritur në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke theksuar se kjo është një “fitore për Kosovën”. Duke folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Isa Mustafa tha se roli i tij nuk do të jetë ekzekutiv. “Baza ligjore apo legale e Asociacionit janë ligjet e Republikës së Kosovës dhe ato nuk lejojnë që të kenë asnjë kompetencë ekzekutive në Kosovë. Ndërkaq, Asociacioni mund t’u ndihmojë komunave me shumicë serbe që ato të rrisin efiçencën e veprimtarisë së vetë në shumë fusha. Por, ne me këtë nuk kemi lënë asnjë mundësi që të lindë një Republikë serbe, ashtu siç është në Bosnjë”, tha zoti  Mustafa.
Mrrëveshjet janë vlerësuar edhe nga kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ai tha se ato garantojnë siguri për serbët në Kosovë. “Sonte vendoset bashkësia e komunave serbe, e cila do të ketë kompetenca të gjera, do të ketë kryetarin, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën, flamurin…do të mund të financohet nga Serbia”, i tha zoti Vuçiç ndërsa premtoi se përmbajtja e të gjitha marrëveshjeve do të publikohet.
Bisedimet Kosovë – Serbi u thirrën në prag të samitit të Vjenës, ku liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen me liderët e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, midis tyre edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Përparimi në dialog, përkatësisht në normalizimin e marrëdhënieve, është kusht për Kosovën dhe Serbinë që të ecin drejt integrimit në BE.