KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Bruksel, mekanizmi për pezullimin e liberalizimit të vizave
eu

Bruksel, mekanizmi për pezullimin e liberalizimit të vizave

Ministrat e Bashkimit Europian mbështetën planet për të lehtësuar dhe përshpejtuar pezullimin e liberalizimit të vizave për vendet e treta. Njëherësh ata theksuan se heqja e kufizimeve për vendet e tjera nuk ishte një mundësi e afërt, mes shqetësimeve në rritje për emigracionin në bllok. BE po zhvillon bisedime të ndjeshme me Ankaranë për liberalizimin e vizave për turqit. Ky lëshim është planfikuar si pjesë e marrëveshjes me Turqinë në këmbim të ndihmës së saj për të frenuar fluksin e emigrantëve dhe refugjatëve në Europë. Por, disa shtete të BE e shohin me ankth mundësinë e hapjes së kufijve ndaj vendit mysliman me rreth 79 milionë banorë. Pikërisht për të qetësuar vendet anëtare, Brukseli po përgatit një mekanizëm që do të lejojë pezullimin e vizave me ndonjë prej 60 vendeve që kanë marrëveshje të tilla, mes të cilave edhe Shqipëria. Plani i miratuar nga 28 ministrat e Brendshëm të BE, gëzon edhe mbështetjen e Parlamentit Europian, i cili gjithashtu duhet të thotë fjalën e tij lidhur me çështjen. E megjithatë, ministri i Emigracionit të Holandës, Klaas Dijkhoff, vend i cili mban presidencën e radhës së bllokut, ndërsa përmendi avantazhet nga liberalizimi i vizave theksoi se nuk mund të abuzohet me këtë të drejtë. Kolegu i tij francez, Bernard Cazeneuve, pohoi se heqja e kufizimeve të udhëtimit për 4 vendet nuk ishte çështje javësh e as muajsh.