KRYEFAQJA » LAJME » Bruksel, nis mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE
Bruksel, nis mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE

Bruksel, nis mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE

Në Bruksel është mbledhur Këshilli i Ministrave të BE-së për çështje të përgjithshme, i cili del me përfundime mbi paketën e vendeve të zgjerimit. Sikurse njofton gazetarja e RTSH Arta Toza, në vemendje është edhe e ardhmja e çeljes së bisedimeve mes BE dhe Shqipërisë.
“Ne gjithmonë e gjejmë zgjidhjen për interesin e qytetarëve shqipëtarë”, deklaroi Komisioneri përgjegjës Johannes Hahn në nisje të takimit, ndërsa presidenca sllovake e BE-së konfirmoi se Këshilli i BE-së do t’i kthehet vendimit për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë, gjatë vitit të ardhshëm. Miroslav Lajcak, Ministër i jashtëm i Sllovakisë, presidenca e BE tha se: “Dukshëm në rastin e Shqipërisë ne kemi këto 5 prioritetet kyçe që do t’i ndjekim me kujdes të veçantë. Me rëndësi është fakti se kemi 18 muaj kohë deri në raportet e ardhshme të progresit nga Komisioni dhe ne donim që të siguronim se kurdo që të kishte një progres konkret në Shqipëri, Këshilli do të japë vendim e do ta diskutojë atë, pavarësisht datës.”
Ioannis Kasoulides, Ministër i Jashtëm i Qipros, nga ana e t ij tha se “Ne mbështesim bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe dëshirojmë që vendi të bëjë progres sipas vendimeve të BEsë.”
Didier Reynders, Ministër i Jashtëm i Belgjikës u shpreh se “Sigurisht që duhet përmbushur bashkësia e kritereve që gjendet mbi tryezë dhe ne do të egzaminojmë mbi bazën e raporteve të Komisionit Europian se çfarë mundësish egzistojnë për avancimin. Këtë e bëjmë për të gjitha vendet partnere me të cilat mundohemi të avancojmë marrëveshjet e stabilizim-asocimit” tha zoti Reynders.” Besoj, se do të na duhet të punojmë gjithnjë e më shumë me një Europë të shumë dimensioneve, ku secili partëner do mund të marrë pjesë në një politikë ose tjetrën, por jo direkt mbase në të gjitha politikat. Megjithëse kishim vendosur se përgjatë kësaj legjislature nuk do të kishte zgjerim, ai mund të mbrohet vetëm po të plotësojnë vendet konkretisht bashkësinë e kritereve” tha Didier Reynders, Ministër i Jashtëm i Belgjikës.
Megjithë lavdërimet për miratimin unanim të ndryshimeve kushtetuese për nisjen e reformës tërësore në drejtësi dhe për progresin e qëndrueshëm drejt përmbushjes së 5 prioriteteve kyçe, konkluzionet e Këshillit të BE-së, sipas draftit të publikuar nga RTSH, pak ditë më parë, përcaktonin se vendet anëtare “do t’i kthehen Shqipërisë kur të jetë kryer progresi i mjaftueshëm” duke ftuar Komisionin për të raportuar mbi përparimin e vendit, përpara pranverës 2018, ndërsa i kërkohet egzekutivit europian që të intensifikojë me Tiranën “angazhimin teknik në fushën e sundimit të ligjit”.