KRYEFAQJA » LAJME » Bruksel , prezantohet projekti “Integrimi i romëve 2020”
Bruksel , prezantohet projekti "Integrimi i romëve 2020"

Bruksel , prezantohet projekti “Integrimi i romëve 2020”

Ditën që vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohen në Bashkimin Europian, do të jenë një shembull shumë i mirë për vendet e tjera anëtare për mënyrën se si trajtojnë komunitetin rom. Por për komisionerin e zgjerimit Johanes Hahn, ndërkohë që politikat e rajonit për integrimin e këtij komuniteti janë vendosur, ajo që mbetet për tu bërë, është që të kalohet nga dokumentat në implementimin e tyre me aktivitete konkrete.
“Tani që politikat e rajonit janë vendosur, ka ardhur koha që të përqëndrohemi tek implementimi. Kjo ështe e vetmja menyrë që politikat tona të bëhen realitet” tha zoti Hahn gjatë një takimi në Bruksel ku u lançua projekti “Integrimi i romëve 2020”, një projekt që synon të reduktojë pabarazitë mes romeve dhe pjesës tjetër të shoqërisë. Sipas tij me adaptimin e strategjisë nga Turqia, tashmë të gjitha vendet e tjera kanë politikat, ndaj nuk mund të ketë me justifikime për të mos nisur implementimin e tyre. “Të gjitha vendet e kanë një strategji, por sfida është që dokumentet të kthehen në aktivitete konkrete dhe ne presim që te gjitha qeveritë të përfshijnë në politikat e tyre edhe integrimin e komunitetit rom” tha zoti Hahn.
Për miliarderin filantrop Georges Soros një nga financuesit e projektit, shpresa është që vendet e Ballkanit Perëndimor të japin shembullin e atyre që mund të arrihen.”Bashkimi Europian ka më shumë ndikim tek vendet që po përpiqen të integrohen se sa tek vendet anëtare” tha zoti Soros. “Meqë ky rajon po përpiqet të integrohet, mund të jetë një shembull shumë i mirë për vendet anëtare, për t’i treguar se çfarë mund të arrihet dhe për t’i treguar se mund të bëhet më shumë për integrimin e komunitetit rom” shtoi ai.
Ministri shqiptar i mireqenies sociale dhe rinisë Blendi Klosi në këtë konteks, ekspozoi atë se çfarë ka bërë qeveria shqiptare në këtë kuadër. Zoti Klosi tha se Shqipëria është pararojë në krahasim me vendet e tjera të rajonit, pasi ka miratuar strategjinë për integrimin e këtij komuniteti. Zoti Klosi tha se ka propozuar për riintegrimin e komunitetit rom nëpërmjet shkollave profesionale. Objektivi është që 80 për qind e këtij komuniteti të regjistrohet në shkolla profesionale.
Projekti “Integrimi i romëve 2020” do të financohet nga Komisioni Europian dhe Fondacioni Soros. Takimi i vendeve të rajonit dhe Turqisë ka sjellë angazhimin e Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Turqisë për ti dhënë fund diskriminimit të komunitetit rom.