KRYEFAQJA » LAJME » Bruksel , vazhdon dialogu Kosovës – Serbi
Bruksel , vazhdon dialogu Kosovës - Serbi

Bruksel , vazhdon dialogu Kosovës – Serbi

Në Bruksel ka përfunduar mbrëmjen e së mërkurës takimi i 30-të i dialogut në nivel të lartë Kosovë-Serbi, në praninë e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, kryeministritë Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Temë kryesore ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku nuk kanë kanë rënë dakord për afatin kohor dhe kryeministri kosovar Mustafa dhe ai serb Vuçiç kishin “qëndrime të kundërta rreth vendimeve të Kushtetueses” së Kosovës.
Në njoftimin e dërguar nga Brukseli nga delegacioni kosovar bëhet e ditur se, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, në kuadër të dialogut të Brukselit. “Gjatë takimit është diskutuar për aspektet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, si dhe perspektivat e dialogut për të ardhmen. Ishte vlerësim i të gjithëve që dialogu në Bruksel dhe thellimi i bashkëpunimit me Bashkimin Evropian është interes madhor i Republikës së Kosovës në rrugën e saj përpara në integrimet euroatlantike”, theksonte njoftimi nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.
Ndërsa ndërmjetësuesja e BE-së, përmes një deklarate për media, ka falënderuar kryeminstrat për, siç ka thënë, përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për të normalizuar më tej marrëdhëniet e tyre në kuadër të dialogut. “Takimet e sotme kanë treguar gatishmërinë e tyre për të ecur përpara me një qasje shumë konstruktive. Ne të gjithë e kemi parasysh nevojën për të sjellë përfitime të drejtpërdrejta dhe konkrete për të gjithë njerëzit në Serbi dhe në Kosovë, të cilët dëshirojnë të përparojnë në rrugën e tyre evropiane”, ka thënë zonja Mogherini, duke shtuar se të dyja palët janë pajtuar për të nisur bisedimet për lidhje direkte ajrore dhe hekurudhore midis Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Mustafa, ka deklaruar për median se bisedimet kanë qenë të mira dhe konstruktive. Ai ka theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të zbatohet “vetëm në suaza të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të marrëveshjes së parë (të nënshkruar në Bruksel në raundin e 10-të në 19 prill 2013) dhe të ligjit të ratifikimit të marrëveshjes së parë (të miratuar nga Kuvendi i Kosovës)”.
“Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë nëse nuk është në suaza të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo është e qartë edhe për palën serbe”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se nuk është rënë dakord për asnjë afat kohor për formimin e Asoaciacionit.
Por kryeministri i Serbisë, Vuçiç, ka insistuar se nuk pranon asnjë vendim , siç ka thënë, të ashtuquajturës Gjykatë Kushtetuese të Kosovës. “Bisedimet nuk janë të lehta dhe po kërkojmë mënyra se si të zhbllokohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Vuçiç për Radio Televizionin e Serbisë.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, në raunin e 28 të dialogut në nivel kryeministrash. Ai është kundërshtuar ashpër nga opozita kosovare me bllokim të dhunshëm dhe përdorim të gazitlotsjellës të seancave të Kuvendit të Kosovës, si dhe protesta masive prej më shumë se katër muajsh.
Takimet në nivel të lartë në Bruksel të kryeministrave aktualë Mustafa e Vuçiç, të qeverive të zgjedhjeve 2014 në të dy shtetet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, pasojnë 23 raundet e zhvilluara nga kryeministrat e mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët edhe tash janë pjesëmarrës delegacionesh në këtë dialog si ministra të punëve të jashtëme.