KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë-Serbi, zyrtarë të BE-së paralajmërojnë bisedime në nivel kryeministrash

Kosovë-Serbi, zyrtarë të BE-së paralajmërojnë bisedime në nivel kryeministrash

Në Bruksel ka vazhduar dialogu në nivel teknik mes të Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga Shërbimi i veprimit të jashtëm të Bashkimit Evropian. Ditën e parë të dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është diskutuar kryesisht për zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura më parë. Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se fillimisht duhet të hiqen institucionet paralele të Serbisë në Kosovë, e pastaj mund të vazhdohet me punën e formimit të Asociacionit të Komunave me shumcië serbe. Ajo po ashtu ka thënë se duhet të hiqet bllokada e Serbisë për prefiksin ndërkombëtar të telefonisë për Kosovën dhe të nisë sa më parë shpërndarja e pavarur e energjisë. Marko Gjuriç ka thënë se për Serbinë është e paarsyetueshme se pse nuk po formohet ajo që ata e quajnë “Bashkësi të Komunave Serbe”. Ai ka thënë se veç kësaj është diskutuar edhe për regjistrimin e kompanive të Serbisë në fushën e telekomunikimit në Kosovë, si dhe për implikimet që do të ketë për qytetarët e Kosovës me pasaporta të Serbisë liberalizimi i paralajmëruar i vizave. Në BE nuk fshihet pakënaqësia për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, por nuk duan të përfshihen në lojën e hedhjes së fajit që Beogradi dhe Prishtina i bëjnë njëri-tjetrit. Zyrtarë të BE-së thonë se pakënaqësitë e tyre për ngecjen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut ia kanë pëcjellë palëve në disa takime që kanë pasur, përfshirë edhe gjatë vizitës së fundit që Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, ka pasur në Prishtinë. Burime diplomatike në BE paralajmërojnë se sapo të krijohet qeveria e re në Serbi, do të bëhen përpjekje të zhvillohet edhe një dialog në nivel kryeminitsrash, në mënyrë që të lëvizin gjërat rreth implementimit të marrëveshjeve.