KRYEFAQJA » LAJME » Brukseli: Serbia shumë mbrapa me çështjen e kufijve
Edita-Tahiri

Brukseli: Serbia shumë mbrapa me çështjen e kufijve

Nën kryesimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, delegacioni i qeverisë së Kosovës ka zhvilluar takimin e radhës trepalësh të ndërmjetësuar nga BE për zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Temë qendrore e këtij takimi ishte shqyrtimi i progresit për procesin e ndërtimit të ndërtesave të përhershme të IBM-së. Kryesuesi i BE-së, Bernd Thran, në takim theksoi rëndësinë e progresit të arritur, duke vlerësuar si një zhvillim shumë të rëndësishëm për rritjen e efikasitetit në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit. Delegacioni i Republikës së Kosovës prezantoi progresin e arritur në përmbushjen e detyrimeve të saj, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv me UNOPS-in dhe zyrën e BE-së në Kosovë. Delegacioni i Kosovës theksoi veprimet që i ka ndërmarrë me qëllim të zbatimit sipas planit të ndërtimit të objekteve të përhershme, duke kryer me sukses shpronësimin e parcelave ku do të ketë ndërtime, pastaj takimet që i ka zhvilluar me aktorët e brendshëm dhe me UNOPS-in, agjenci kjo e përzgjedhur nga ana e BE-së për zbatimin e këtij projekti. Delegacioni i Kosovës konfirmoi se është hartuar plani i dinamikave të ndërtimit, është arritur pajtueshmëria për projektimin dhe janë diskutuar detajet e funksionimit sa më të përshtatshëm të pikëkalimeve kufitare sipas standardeve më të larta për autoritetet shtetërore që operojnë në pikë kalime kufitare. Nga ana e tij, UNOPS e bëri prezantimin e përgjithshëm të progresit në projekt, duke e vlerësuar bashkëpunimin me qeverinë e Kosovës në të gjitha fazat e zbatimit, si dhe duke theksuar efektivitetin e palës së Kosovës për të gjitha çështjet e trajtuara së bashku. Në këtë takim u raportua po ashtu për progresin në hapjen e pikëkalimeve të reja kufitare, Kapi e Sfircës që lidhë komunën e Kamenicës me Medvegjën dhe Izvor në pjesën veriore, ku të dy palët konfirmuan hapjen e këtyre dy pikë kalimeve të reja kufitare deri në fund të muajit shtator 2016. Në fund të takimit, ministrja Edita Tahiri falënderoi dhe vlerësoi lartë punën e Bernd Thran si ndërmjetësues i BE-së i cili dha kontribut të madh për zbatimin e Marrëveshjes së IBM dhe i uroi atij suksese në misionin e ri si zëvendësshef i misionit të EULEX-it në Kosovë.