KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » BSH : Në 2015 është rritur kredia në lekë me 2.6%
banka e shqiperise

BSH : Në 2015 është rritur kredia në lekë me 2.6%

Politika lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë ka rigjallëruar kredinë në lekë. Raporti i fundit të bankës qëndrore për stabilitetin financiar në 6 mujorin e dytë të vitit 2015 tregon se pesha e kredisë në lekë është rritur ndjeshëm. Referuar të dhënave, teprica e kredisë në monedhën vendase rezultoi 229.6 miliardë lekë në fund të vitit, duke u rritur me 2.6% në terma vjetore. Ekspertët e bankës së Shqipërisë vlerësojnë në raport se nëse shifra do korrigjohej nga fshirja e kredive me probleme, rritja vjetore e kredive në monedhën vendase do të ishte më e lartë, rreth 4.8% ose 10.8 miliardë lekë. Nga ana tjetër teprica e kredisë në valute, është ngushtuar me 4% në terma vjetore. Raporti i stabilitetit financiar vlerëson gjithashtu se cilësia e huasë është përmirësuar, mbështetur nga procesi i fshirjes së kredive të humbura dhe masave të tjera të planit operacional për këtë portofol. Por megjithë këtë përmirësim, banka vëren se sektori bankar përsëri mbetet i rrezikuar nga kreditë e këqija, kryesisht nga përqëndrimi i këtyre kredive në pak kompani, duke sjellë si shembull Kurumin dhe Armon. Nisur nga kjo situatë, ekspertët e bankës qëndrore i rekomandojnë bankave tregtare të jenë të fokusuara në evidentimin e kredive me probleme. Në 2015 niveli i kredive të këqija ra në 18.2%, diktuar nga fshirja e rreth 27 mld lekëve nga bilancet e bankave.