KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » BSH për buxhetin, Sejko: “Kujdes borxhin”

BSH për buxhetin, Sejko: “Kujdes borxhin”

Në optikën e Bankës së Shqipërisë buxheti i vitit të ardhshëm mbart disa risqe, ku me evidentin guvernatori Gent Sejko sheh tek ekspozimi i lartë i borxhit ndaj kursit të këmbimit. “Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen nga ekspozimi në rritje që niveli dhe kostoja e shërbimit të borxhit kanë ndaj lëvizjeve të kursit të këmbimit. Kjo nënkupton nevojën për kujdes të shtuar ndaj huamarrjes së huaj sidomos asaj në terma tregtarë” tha zoti Sejko.

Nga ana tjetër guvernatori i rekomandon qeverisë të marrë masa për mbledhjen e të ardhurave të parashikuara vitin e ardhshëm. Duke qënë një vit elektoral, banka qëndrore i druhet devijimeve të mëdha nga plani. “Në rast se të ardhurat buxhetore do jenë poshtë nivelit të planifikuar dhe në rast se kjo diferencë është më e madhe se kontigjencat e parashikuara në buxhet, qeveria duhet të marrë masa shtesë për respektimin e difiçitit buxhetor” tha guvernatori Sejko .

Për herë të parë, numri një i Bankës së Shqipërisë ndau një vlerësim edhe për shifrën e minimumit jetik. “Niveli i minimumit jetik natyrisht që është i ulët, por kjo vjen si pasojë e analizave e mundësive financiare që kanë buxhetet” shtoi zoti Sejko.

Sa i përket fluksit të lartë të euros në treg, të cilën opozita e lidh me paratë që i vijnë ekonomisë nga prodhimi dhe tregetëtimi i hashashit, Banka e Shqipërisë argumentoi se është efekt sezonal, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës.