KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » BSH, tjetër histori skandali
BSH, tjetër histori dëmi

BSH, tjetër histori skandali

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në prokurori një kallëzim penal për shpërdorim detyre për mënyrën se si Banka e Shqipërisë ka bërë nxjerrjen nga tregu të kartëmonedhave të dëmtuara në harkun kohor nga viti 2010 deri në vitin 2014. Sipas KLSH bankat e nivelit të dytë ua kanë blerë qytetarëve kartëmonedhat me 80 përqind të vlerës së tyre, ndërsa Banka e Shqipërisë ua ka blerë bankave me 100 përqind të vlerës. Sipas KLSH diferenca prej 20 përqind është përfituar ne mënyrë të jashtëligjshme nga bankat. Ky përfitim apo dëm në shifra është rreth 4 milion euro.
Burime të besueshme bëjnë të ditur se prokuroria e ka regjistruar kallëzimin penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ai do të verifikojë veprimet e personave që kanë drejtuar Bankën e Shqipërisë në atë periudhe. Pa dyshim emri kryesor që përflitet është ai i ish guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani. Pak kohë më parë ai doli i pafajshëm pas një procesi për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga arka e kësaj banke, e konsideruar një nga vjedhjet më të mëdha në historinë e saj afro një shekullore. Vjedhja u zbulua në mesin e vitit 2014 dhe për të po vuajnë dënime disa punonjës të bankës, por që nuk e kanë pranuar akuzën. I vetmi që ka pranuar deri më tani vjedhjen është Ardian Bitraj, ish shefi arkës stok në thesar, i cili po vuan dënimin me 13 vite heqje lirie.