KRYEFAQJA » LAJME » Bullgari, SEECP: Bashkëpunimi rajonal, faktor stabiliteti dhe zhvillim ekonomik në rajon

Bullgari, SEECP: Bashkëpunimi rajonal, faktor stabiliteti dhe zhvillim ekonomik në rajon

Ministrat e Jashtëm të vendeve të proçesit për Bashkëpunim në Europën Juglindore u mblodhën sot në qytetin Pravets të Bullgarisë, ku diskutuan bashkëpunimin rajonal si faktor stabiliteti dhe zhvillimin ekonomik në rajon. Pjesëmarrës në takim ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Takimi i ministrave të Jashtëm është pjesë e aktiviteteve që shënojnë dorëzimin e kryesisë njëvjeçare të SEECP nga Bullgaria tek Kroacia, që do të përmbyllet nesër me samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të proçesit. Objektivat kryesore te proçesit për Bashkëpunim në Europën Juglindore janë stabiliteti, siguria, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe intesifikimi i bashkëpunimit ekonomik, me theks të veçantë në bashkëpunimin ndërkufitar, modernizimin e transporteve, energjisë, telekomunikacioneve, duke promovuar tregtinë dhe investimet. Ky proçes gjithashtu nxit bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm dhe terrorizmit. Vendet themeluese të kësaj nisme janë Shqipëria, Bosnja-Herzegovina, Bullgaria, Greqia, Maqedonia, Rumania, Serbia dhe Turqia, të cilat në korrik të 1996-ës nënshkruan deklaratën për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Më vonë, proçesit iu bashkuan Moldavia, Mali i ZI, Sllovenia dhe Kosova.