KRYEFAQJA » LAJME » Bumçi: Opozita nuk i ka kërkuar BE ti veri kushte Shqipërisë

Bumçi: Opozita nuk i ka kërkuar BE ti veri kushte Shqipërisë

Deputeti i Partisë Demokratike në opozitë Aldo Bumçi, sqaron për herë të parë në një intervistë dhënë TVSH qëndrimin e mbajtur nga përfaqësuesit e opozitës në Bruksel, lidhur me debatin për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërise në BE. Zoti Bumçi thotë se interesi i opozitës është të shohë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Evropian duke nënvizuar se kushtet e vëna janë përcaktuar nga partnerët e huaj dhe jo nga opozita. E pyetur nga gazetarja Sonila Agostini, zoti Bumçi hodhi poshtë zërat se opozita i ka kërkuar BE vënien e kushteve për hapjen e negociatat me Shqipërinë, duke akuzuar qeverinë se deformoi të vërtetën. “Më vjen keq për të vërtetat që u thanë lidhur me këtë vizitë. Nuk e kuptoj pse qeveria ka nevojë të krijojë zhurmë. Një qeveri që është e sigurtë pret lajme të mira, nuk duhet të krijojë zhurmë që të fshihet” tha zoti Bumçi. “Në këto takime nuk ka vendimarrje dhe aq më pak vendimarrje që a jemi ne pro integrimit, pro çeljes së negociatave, pra nuk diskutohet diçka e tillë. Qëndrimi i PD është shumë i qartë. Ne atje kemi ngritur zërin për të gjitha problemet që mbajnë Shqipërinë larg Europës” tha deputeti i PD Aldo Bumçi. “Të kërkosh zgjedhje të lira dhe të ndershme, a e largon Shqipërinë nga komuniteti europian? Unë mendoj që zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i Europës, kushti i parë për t’u integruar. Të kërkosh që të luftohet kultivimi i drogës, je kundër Europës? Mendoj është e kundërta. Të kërkosh që të zbatohet ligji i dekriminalizimit je pro Europës. Çfarë ka ngritur PD janë çëshje që shqetësojnë partnerët europianë. Pse u vonua kaq shumë çelja e negociatave? Pse diskutohet për kushtet që duhet t’u bashkangjiten? Janë për shkak të dështimit të qeverisë” shtroi disa pyetje duke dhënë edhe përgjigje deputeti i PD Aldo Bumçi. “Interesi i PD është që ne të jemi në Europë, por që të jemi në Europë duhet të përmbushim këto kushte, kushte të vendosura nga BE jo nga PD” tha për TVSH zoti Bumçi.