KRYEFAQJA » LAJME » Bunjaku: De Biazi po u bën presion futbollistëve nga Kosova të luajnë për Shqipërinë

Bunjaku: De Biazi po u bën presion futbollistëve nga Kosova të luajnë për Shqipërinë

Trajneri i kombëtares së Kosovës në futboll, Albert Bunjaku ka shprehur pakënaqësinë ndaj homologut të kombëtares së Shqipërisë,  Xhani De Biazin, pasi sipas tij po u bën presion futbollistëve kosovarë të kombëtares shqiptare, për të luajtur me Shqipërinë.
Sipas informacioneve që qarkullojnë në media, De Biazi ka kontaktuar me telefon të gjithë lojtarët kosovarë të ekipit të Shqipërisë. Trajneri i kombëtares së Kosovës në futboll, Albert Bunjaku, ka thënë se ky është një presion i hapur dhe se nuk e kishte pritur një gjë të tillë nga Shqipëria. Mediat kosovare, citojnë trajnerin kosovar të ketë thënë se disa lojtarë e kanë kontaktuar atë dhe kanë qarë hallet pas telefonatave të De Biazit. Ndërsa mediat në Shqipëri shkruajnë se të paktën një lojtar kosovar ia ka bërë të ditur De Biasit se dëshiron të luajë për vendlindjen e tij Kosovën, Bunjaku ngul këmbë se bëhet fjalë për më shumë lojtarë. “Nuk është mirë për futbollin e Shqipërisë, të Kosovës e as për vetë futbollistët, që të ndodhin këto gjëra, pa ardhur një vendim i FIFA-s i cili shumë shpejtë do të vijë e do të sqarojë situatën e gjithsecilit” citohet traineri Bunjaku. “Nuk e kuptoj se çfarë duhet të vendosin lojtarët kur nuk kanë se çfarë të vendosin, pasi ende nuk kemi marrë përgjigje nëse kanë të drejtë apo jo të ndërrojnë përfaqësuesen” ka shtuar ai.
Nga ana e trainerit të kombëtares shqiptare Xhovani De Biazi, ende nuk ka ndonjë koment rreth këtyre deklaratave. Por pak muaj më parë, në shkurt të këtij viti, ai ka deklaruar egzistencën e një marrëveshjeje me autoritetet kosovare të futbollit. “Kemi 50 përqind të lojtarëve nga Kosova në skuadër, që kanë zgjedhur të luajnë për Shqipërinë. Pasi të njihet Kosova nga FIFA, askush nuk do të largohet nga kombëtarja shqiptare. Kemi një marrëveshje me miqtë dhe vëllezërit tanë kosovarë, sipas së cilës ata lojtarë që janë aktualisht me Shqipërinë nuk do të thirren nga Kosova” citohet të ketë thënë Xhani De Biazi.
Debate për këtë çështje ka patur edhe në të kaluarën. Por tashmë Kosova është pranuar në UEFA dhe FIFA, ndaj dhe çështja e futbollistëve që do të luajnë me kombëtaret do të jetë gjithnjë e më prezente.