KRYEFAQJA » LAJME » Burg përjetë për vrasësit e të moshuarave
Elsa-Vava-dhe-Gjinovefa-Vava

Burg përjetë për vrasësit e të moshuarave

Burgim përjetë ka dhënë gjykata e rrethit gjyqësor Durrës për tre personat që akuzohen për grabitjen dhe vrasjen e dy grave të moshuara në fillim të shtatorit të vitit të kaluar. Indrit Shaqja, Velson Elmazi dhe Artur Kaçanolli kanë dëgjuar sot vendimin e gjykatës së shkallës së parë, i cili është dhënë sot në mesditë nga treshja e gjyqtarëve e drejtuar nga Anita Mici. Seanca ka nisur me dëgjimin e palës mbrojtëse, e cila në fjalën e saj ka kërkuar që secili nga të pandehurit të vecohet në këtë cështje, pasi nuk kanë pasur rol të njëjtë në ngjarje. Pretendimet e mbrojtjes lidhen me shtetasin Artur Kaçanolli, nip i njërës prej viktimave, i cili sipas mbrojtjes, nuk ka pasur dijeni për ngjarjen e rëndë, përvec një diskutimi që kishte bërë para saj me dy të pandehurit e tjerë për ekzistencën e sendeve me vlerë në shtëpinë e të moshuarave. Edhe për Velson Elmazin, mbrojtja ka deklaruar se ai ka qenë në gjendje të dehur dhe nuk ka marrë pjesë në dhunimin e viktimave. Në seancat e kaluara, vetëm Indrit Shaqja ka pranuar se është autor i krimit të rëndë. Gjatë seancës së sotme i pranishëm në sallë ka qënë vetëm Velson Elmazi, kurse dy të tjerët nuk janë paraqitur. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit të datës 2 shtator, kur të pandehurit pasi hynë në banesën e Gjinovefa dhe Elsa Vava, i lidhën dhe iu vendosën qese plasmasi në kokë, i grabitën dhe i lanë të vdesin nga asfiksia.