KRYEFAQJA » LAJME » Bushati: Çështjet midis Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zgjidhen mbi bazë të parimeve ndërkombëtare dhe jo kërcënimeve
Bushati: Çështjet midis Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zgjidhen mbi bazë të parimeve ndërkombëtare dhe jo kërcënimeve

Bushati: Çështjet midis Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zgjidhen mbi bazë të parimeve ndërkombëtare dhe jo kërcënimeve

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, deklaroi se çështjet midis Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zgjidhen mbi bazë të parimeve ndërkombëtare dhe jo kërcënimeve. Zoti Bushati i bëri komentet e tij gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij ukrainas Pavlo Klimkin, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë. “Shqipëria është e palëkundur për të qenë një vend inspirues i politikës së mirë të drejtë dhe të ndershme mbi bazën e ndërsjellët me fqinjët tanë dhe është një vend i cili do të vazhdojë të kultivojë këtë përqasje në rajon. Është një vend i cili ka shfaqur qartë, hapur të gjitha pozicionet dhe pikëpamjet në lidhje me disa çështje të mbartura, të cilat duam t’i zgjidhim dhe t’i trajtojmë në kuadër të vlerave evropiane dhe parimeve ndërkombëtare, të cilat nuk njohin as gjuhën e kërcënimit dhe as konsumin e brendshëm për çfarëdo lloj rrethane që mund të jetë ky konsum” tha zoti Bushati. I pyetur nëse kjo përplasje diplomatike me Athinën rrezikon projektin e “zero problemeve” me fqinjët, ministri Bushati u përgjigj se “Referencën që ju përdorët nuk është në asnjë dokument politik të kësaj mazhorance dhe të kësaj qeverie, por do të kisha shpresuar shumë që të paktën reporterët që mbulojnë Ministrinë e Jashtme të kishin një hulumtim më të mirë për këtë çështje” tha ministri i jashtëm shqiptar.
Në konteksin e marrëdhënieve shqiptaro-ukrainase Bushati dhe Klimkin u shprehën për thellimin e tyre, veçanërisht me heqjen e vizave. “Kemi në vëmendje rritjen e bashkëpunimit të mëtejshëm në të ardhmen. Një vit më parë unë vizitova Shqipërinë dhe ju përgëzoj për atë çka shoh sot dhe për mundësitë që po i jepni Shqipërisë. Jam i nderuar që ndodhem këtu në këtë vizitë” tha ministri i jashtë ukrainas Klimin.
Zoti Klimkin u pyet edhe nëse Ukraina do ta njihet Kosovën.”Ne nuk kemi vepruar kundër shtetit të Kosovës, pavarësisht se nuk e kemi njohur si shtet. Por është një çështje që ka të bëjë me ndarjen e Krimesë nga Ukraina” tha ai. Por për ministrin e jashtëm shqiptar Bushati “Të krahasosh këto dy situata është si të barazosh mollën dhe portokallin dhe nuk do të ketë asnjë lloj dyshimi për ne dhe as një lloj tulatje nga propaganda që mund të vijë ngado që vjen dhe ngado që kjo propagandë adresohet”.