KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Bushati në Ministerialin e OSBE
Ministeriali i OSBE, Bushati në takimin “përballja me sfidat e përbashkëta”

Bushati në Ministerialin e OSBE

Procesi i Berlinit dhe axhenda e ndërlidhjes rajonale kane rezultuar të jetë  faktor kyç në forcimin e bashkëpunimit politik, ndërtimin e besimit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati, iu drejtua Ministerialit të OSBE-së, të mbajtur në Potsdam, Gjermani, me vlerësime për rolin e Gjermanisë në rajon. Ministeriali i konfiguruar nga zhvillime të sigurisë me sfida në rajonet përreth Ukrainës, lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit, si dhe krizat migratore, adresoi çështje të forcimit të sigurisë, parandalimit dhe menaxhimit të tyre, për krijimin e një mjedisi më të mirë politik e social atje ku vepron organizata. Ministri i jashtëm shqiptar siguroi vazhdimin e angazhimit te Shqipërisë dhe kontributit për forcimin e paqes dhe sigurisë, në rajon, e më gjerë. “Axhenda e  ndërlidhshmërisë në Ballkanin Perëndimor mund të shërbejë si shembull për rajonet e tjera të OSBE-së në tejkalimin e barrierave” ka parashtruar ministri Bushati. Në këto parashtrime ministri i jashtëm shqiptar kujtoi dhe arritjen e marrëveshjes për krijimin e një Zyre Rajonale te Bashkëpunimit Rinor në funksion të ndërtimit të urave të reja, për të nxitur dialogun, mirëkuptimin dhe pajtimin mes të rinjve në rajonin ku më pak se dy dekada më parë ka pasur luftë.