KRYEFAQJA » LAJME » Bushati në TVSH: Shqipëria duhet të tregojë maturi politike për të përparuar me axhendat ndërkombëtare

Bushati në TVSH: Shqipëria duhet të tregojë maturi politike për të përparuar me axhendat ndërkombëtare

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati në një intervistë të drejtëpërdrejtë në edicionin e lajmeve të orës 16.00 në TVSH, qartësoi zhvillimet më të fundit në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në, Greqinë fqinje dhe administratën e ardhshme të presidentit amerikan Donald Trump. Për kryediplomatin shqiptar vendi ynë duhet të tregojë maturi politike për të përparuar me axhendat ndërkombëtare.

Denada Shkodrani: Shqipëria ka marrë një rekomandim të kushtëzuar, por përveç kushtit ende nuk e dimë se kur do të ketë një vendim konkret për hapjen e negociatave. E prisni ju këtë përpara zgjedhjeve apo dhjetorin e vitit të ardhshëm?

Ditmir Bushati: Shqipëria ka marrë një raport të qartë nga KE lidhur me ecurinë e reformave në Shqipëri, një raport i cili ofron një analizë jo vetëm për ecurinë e reformave, por edhe skicon rrugën përmes së cilës duhet të kalojë Shqipëria në mënyrë që të ulemi në tryezën e bisedimeve për anëtarësim.
Ajo çka ju e quajtët një “rekomandim i kushtëzuar” besoj se është një rekomandim i qartë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim i shoqëruar me mirëkuptimin për zbatimin e qartë dhe të qenësishëm të Reformës në Drejtësi, reformë e cila aktin më simbolik të saj besoj se ka Ligjin për Vetingun, i cili pritet të kalojë në sitë të gjithë pjestarët e sistemit gjyqësor apo edhe trupën e prokurorëve. Sigurisht siç doli e qartë në takimin dhe mbështetjen që ne morëm sëbashku me kryeministrin Rama të hënën në Bruksel me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE, ne do të punojmë për një zbatim të njemendtë të standarteve të tjera që janë pjesë e pesë prioriteteve për hapjen e bisedimeve për anëtarësim dhe jemi duke rakorduar me KE dhe vendet anëtare të gjitha hapat që duhet të ndërmerren, hapa përgatitorë që do ti shërbejnë procesit të negocijimit me BE. Siç dihet procesi i negocijimit me BE nuk është një proces negocijimit në vetvete me BE, por është një proces negocijimi me veten tonë, praktikën tonë, me procedurat, me historikun politik që ka Shqipëria, me mënyrën se si do duhet që të modernizohemi jo thjesht vendimarrjen, por edhe mirëkuptimin politik, me mbështetjen që do duhet të japim për strukturat e posaçme që duhet të ngrihen dhe për reformat e procesit të integrimit europian që në fakt janë reforma që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me procesin shtetndërtues dhe shtetkonsolidues në Shqipëri. Jam optimist që Shqipëria në rsat se do të ketë një mirëkuptim politik do të eci me hapa të njëtrajtshëm drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim.

Denada Shkodrani: Zoti Ministër, duket se një teme e nxehtë e debatit kanë qenë zgjedhjet amerikane. Sa do të ndikojnë deklaratat përpara zgjedhjeve të zotit Rama në marrëdhëniet me administratën e re të zotit Tramp?

Ditmir Bushati: Besoj se kjo është një çështje krejtë e qartë së cilës kryeministri Rama i është përgjigjur. Ne kemi parë një fushatë thuajse të paprecedentë në SHBA, që me të drejtë ka shokuar, apo ka sjellë në vemendje të opinionit publik kryesisht në Europë, por edhe në vende të tjera që kanë një partneritet tradicional me SHBA, për shkak të temave të nxehta dhe të paeksploruar deri më sot me të cilën janë trajtuar këto tema. E kemi fjalën kryesisht për çështjet e sigurisë, raportet e SHBA dhe familjes europiane, çështje që kanë të bëjnë me partneritetin ekonomik dhe tregëtar, me raportet e reja që pritet të jenë me Rusinë dhe aktorë të tjerë globalë, çështje që kanë të bëjnë me ekstremizmin e dhunshëm, fetë, emigracionin. Pra kanë qenë disa tema jashtëzakonisht të nxehta të cilat kanë rrokur mendjen dhe zemrat e shumë njerëzve, politikanëve apo liderëve europianë, për të komentuar rreth platformave të dy kandidatëve në zgjedhjet presidenciale në Amerikë. Por do të duhet të presim administratën e re me qetësi dhe ajo çka unë do të dëshëroja të siguroja opinionin publik shqiptar përmes RTSH është që për Shqipërinë SHBA mbetet një partner i pazëvendësueshëm jo vetëm thjesht në planin bilateral, por edhe në këtë kënd të Europës adriatike dhe për ne është mjaftë e rëndësishme që SHBA të vijojn të luajnë atë
rol stabilizues dhe të jenë sponsorit kryesorë të stabilizimit dhe intergimit euroatlantik të rajonit tonë.

Denada Shkodrani: Zoti Bushati duke qëndruar tek fqinjët, cilët janë marrëdhëniet me Greqinë në stadin aktual?

Ditmir Bushati: Kjo është pyetje që e ka përgjigjen pak a shumë brenda. Sepse marrëdhëniet tona me fqinjët janë marrëdhënie mes fqinjësh të cilat kanë ende çështje të paadresuara, çështje të cilat janë të mbartuara nga e kaluara e largët, por jo vetëm. Dhe duke qenë se janë marrëdhënie mes dy fqinjësh, janë marrëdhënie që kanë interesa shumë më të mëdha të përbashkëta seç mund të kenë ndasi sot për sot.
Unë kam patur një bisedë me homologun Kotzias të hënën në Bruksel, si pjesë edhe të takimit që ne patëm me “Miqtë e Shqipërisë” me ministrat e jashtëm të BE-së në procesin e intergimit europian. Mund t’ju them që ne kemi rakorduar në rradhë të parë për të ulur tonet që vijnë nga të dyja vendet, apo nga kënde të ndryshme të hapsirës publike tone të së cilës nuk i ndihmojnë shëndoshjes së kësaj marrëdhënieje. Por nga ana tjetër ka një listë çështjesh të cilat ne i kemi vendosur në tryezë me palën greke, jemi në proces eksplorimi midis pikpamjeve për mënyrën se si mund të adresohen këto çështje. Shpresoj, uroj dhe besoj që marrëdhëniet shqiptaro-greke janë marrëdhëniet të një partneriteti strategjik të cilat nuk mund të ngatërrohen me etapa të ndryshme që vendi ynë hedh në mënyrë solide dhe të qëndrueshme në procesin e integrimit europian.

Denada Shkodrani: Ministri Bushati, veç retorikave që ju përdorni kemi një situatë ngërçi që nuk është e vështirë të dallohet qoftë edhe nga jashtë. Në fund kujtojmë deklaratën e zotit Kotzias dy ditë më parë që tha se Shqipëria nuk duhet të përmbushi vetëm reformën në drejtësi, por edhe pesë prioritetet për të marrë rekomandimet për negociatat. A ju duket kjo si një formë kërcënimi?

Ditmir Bushati: Në fakt kjo nuk është një deklaratë që vjen thjeshtë dhe vetëm nga kolegu Kotzias. Ky është një qëndrim i qartë i qeverisë shqiptare që në krye të herës. Në rast se do ti referohemi gjerësisë dhe thellësisë që ka reforma e drejtësisë në Shqipëri, do të thoja pa mëdyshje se origjina e këtij procesi kaq të thellë ka lidhje të drejtëpërdrejtë me vullnetin e qeverisë me vullnetin e maxhorancës aktuale për të kryer një reformë sa më të thellë me vullnetin e shprehur nga qytetarët shqiptarë të cilët në mbi 90 përqind të tyre e mbështesin këtë proces kirurgjikal dhe nga ana tjetër siç e kanë deklaruar, siç e deklaroi kryeministri në Bruksel sëbashku në shumë e shumë takime, për ne zbatimi i pesë prioriteteve është busulla kryesore orientuese në procesin e integrimit europian, por edhe në procesin e demokratizimit të mëtejshëm të vendit. Nga ana tjetër ne besojmë se kuadri i negociatave ofron një platformë të plotë konceptuale për të zbatuar në mënyrë sa më të qënësishme të gjitha ato reforma, për të siguruar nga ana tjetër një ndërveprim të shëndëtshëm të vërtetë të Komisionit Europian, vendeve anëtare nga njëra anë dhe Shqipërisë nga ana tjetër për ta avancuar sa më shumë këtë proces, sepse siç duhet një avancim i Shqipërisë në këtë proces shoqërohet jo vetëm me një stad të ri në kuptimin politik, ekonimik dhe demokratik në Shqipëri, por edhe me një projektim më të mirë përsa i përket rrezes së stabilitetit demokratik në të gjithë hapsirën tonë në Europën Adriatike, apo në Europën Juglindore.

Denada Shkodrani: Zoti Bushati ju thoni se çështjet e mbetura pezull me Greqinë do të zgjidhen sipas parimeve ndërkombëtare të reciprocitetit. Janë terma të përgjithshme zoti ministër dhe ka një mungesë transparence për atë që po ndodh. Çfarë po bëhet me kufirin detar, çfarë po ndodh me çështjen e shqiptarëve në Çamëri, apo me rastet e vdekjeve të shqiptarëve në burgjet greke, ndërsa dy ditë më parë u ndaluan edhe dy shoferë të Ministrisë së Punëve të Jashtme zoti ministër?

Ditmir Bushati: Besoj se duhet të kemi durim për të ndarë çështjet e asaj që duhet të konsiderohet si diplomacia e megafonit dhe çka ndodh normalisht mes dy vendeve tona. E kam thënë në disa raste që ka nevojë për ta trajtuar këtë marrëdhënie me realizëm dhe në gjykimin tonë ky realizëm fillon pikë së pari nga ballafaqimi i fakteve dhe opinioneve ashtu siç ne i mendojmë qoftë edhe për çështje që konsideroheshin tabu deri para pak vitesh, apo deri para pak muajsh dhe më pas për të hulumtuar një nga një eksperiencat më të mira ndërkombëtare apo instrumentet më të mira që ofron e drejta ndërkombëtare e cila është e aplikueshme si për Shqipërinë ashtu dhe për Greqinë.
Nuk besoj se ka vend për tu alarmuar. Eshtë e natyrshme që pikpamje të ndryshme, vizione të ndryshme të ballafaqohen në tryezë, qoftë dhe me përfshirjen e aktorëve të ndryshëm siç ishte rasti i deklarimeve që erdhën nga ana e Komisionit Europian, të kemi reagime të para të cilat në disa momente mund të jenë edhe emocionale. Besoj se këtë fazë e kemi kaluar sëbashku me qeverinë greke dhe kemi vendosur për të rienergjizuar mekanizmin dypalësh që egziston mes nesh, por edhe çështjesh të tjera që ju nuk i përmendët, të trajtohen me qetësi dhe vështrim nga e ardhmja.

Denada Shkodrani: Faleminderit zoti Bushati!