KRYEFAQJA » LAJME » Bushati përshëndet konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së për Shqipërinë
Bushati përshëndet konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së për Shqipërinë

Bushati përshëndet konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së për Shqipërinë

Ministri shqiptar i punëve të jashtme, Ditmir Bushati, përshëndeti konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së për Shqipërinë. “Për vendin tonë, konkluzionet konfirmojnë arritjet e evidentuara në raportin e Komisionit Evropian, vullnetin dhe vendosmërinë e qeverisë për intesifikimin e reformave të ndërmarra në fushën e sundimit të së drejtës në ekonomi”, u shpreh zoti Bushati në një deklaratë. Sipas tij, “Këshilli ka vlerësuar progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve për hapjen e negociatave për anëtarësim, veçanërisht në reformën e administratës publike dhe masat e ndërmarra në përgatitje të reformës së sistemit të drejtësisë”. “Roli aktiv i Shqipërisë në rajon si dhe linjëzimi i plotë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, evidentohen si asete të vyera të politikës sonë së jashtme”, nënvizoi ministri i jashtëm shqiptar Bushati. Ai shtoi se “reforma në drejtësi është e një rëndësie parësore për hapjen e negociatave. E ndërlidhur kjo me konsoldimin e arritjeve në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe zbatimit efektiv të të drejtave dhe lirive themelore. “Rekomandimet e Komisionit Europian, të mbështetura edhe nga konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së, do të përbëjnë orientimin e veprimit tonë politik drejt plotësimit të prioriteteve kyçe, të cilat do mundësojnë përparimin e mëtejshëm drejt hapjes së negociatave për anëtarësim” premtoi ministri i jashtëm shqiptar Bushati.