KRYEFAQJA » LAJME » Bushati pret Kotzias, çamët protestojnë

Bushati pret Kotzias, çamët protestojnë

Pak para se ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias, të takohej me mikritësin e tij Ditmir Bushati në Ministrinë e Jashtme, Shoqata Atdhetare “Çamëria” ka nisur një protestë, jashtë saj. Kërkesa kryesore e protestuesve  ka qenë që Greqia të heqi ligjin e luftës. Në krye të protestës ishte kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, njëherësh dhe nënkryetari i parlamentit shqiptar. Zoti Idrizi u shpreh se ka ardhur koha që të “ndahen gjërat: Shqipëria është vend mik apo armik për Greqinë?”.
Por ndërsa protesta ka qenë me tonë të forta nacionaliste, takimi mes dy ministrave të jashtëm ka qenë miqësor, madje si zoti Bushati ashtu dhe zoti Kotzias, në konferencën për shtyp me gazetarët, ju drejtuan shpesh njëri tjetrit me fjalët “miku im”. Me një gjuhe diplomatike ministri i jashtëm Ditmir Bushati tha se diskutimi mes dy palëve do të vijojë dhe do të diskutohen të gjitha pikat me interes për Greqinë, por edhe për Shqipërinë. Ata thanë se bashkëbisedimi mes palëve pritet të shtrihet në muajt e ardhshem. I pyetur nga gazetarët për marrëveshjen e detit, zoti Bushati tha se pala shqiptare në të shkuarën ka bërë gabime, dhe çdo hap do të ndërmerret në mbështetje të plotë të së drejtës ndërkombëtare. Ministri i jashtem grek Kotzias dhe ministri Bushati u janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë nga Greqia, si dhe çështjen e pronave të popullsisë çame në Greqi. Lidhur me këtë të fundit zoti Bushati tha se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Greqisë, ndërsa zoti Kotzias kujtoi historinë e debatueshme të bashkëpunëtorëve të nazizmit me origjinë çame. Gati sinkron me këtë deklaratë të ministrit të jashtëm grek kreu i PDIU Shpëtim Idrizi tha para përkrahësve të tij se nazistët dhe fashistët zoti Kotzias i ka në parlamentin e vet. “Nuk mund të mos provokoheshim nga fjala e zotit Kotzias i cili duhet ta dijë se nazistë dhe fashistë i ka në parlamentin e Greqisë pra e kam fjalën për Agimin e Artë” tha zoti Idrizi.”Për ne pak rëndësi ka çfarë thotë Kotzias, mjaftoi që kishte një parrullë, unë uroj mos jetë e vërtetë, që gjyshi i tij ishte bashkëpunëtor i gjermanëve dhe ne si shqiptarë të Çamërisë nuk kemi problem që ai të jetë ministër i Greqisë” shtoi më tej ai.