KRYEFAQJA » LAJME » Bushati : “Shqipëria e angazhuar për sfidat e sigurisë”
Bushati

Bushati : “Shqipëria e angazhuar për sfidat e sigurisë”

Në Tiranë kanë nisur punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila mblidhet për herë të parë në Shqipëri. Punimet e kësaj asambleje u çelen nga ministri i punëve të jashtme Ditmir Bushati, i cili në fjalën e tij u ndal gjatë tek sfidat e fundit, si siguria, terrorizmi apo kriza e refugjatëve. “7 vjet anëtarësim në NATO e kanë shndërruar Shqipërinë në një aktor të rëndësishëm rajonal që ka ndjeshmërinë e duhur ndaj sfidave me të cilat përballet sot arkitektura e sigurisë evropiane. Nga ana tjetër kemi treguar se jemi anëtarë të besueshëm duke dhënë kontributin tonë në konflikte përtej kufijve të kontinentit tonë” tha zoti Bushati. 

Ministri i jashtëm shqiptar garantoi se Shqipëria është e përgatitur për tiu përgjigjur sfidave të kohës. “Për t’iu përgjigjur më mirë sfidave të tilla, si fenomeni i Luftëtarëve të Huaj dhe radikalizimit, është vendosur të hapet në Shqipëri NATO Center of Excellence, e cila do të fokusohet në ndërtimin e një ekspertize të rëndësishme për adresimin e këtij fenomeni. Ekspertiza që do të përftohet do të vihet në funksion të institucioneve të tjera për hartimin e programeve sociale, edukative dhe ekonomike” tha zoti Bushati.

Shefi i diplomacisë shqiptare u ndal edhe tek nevoja e proceseve integruese të Kosovës, si në BE po ashtu edhe në NATO. “Përsa i përket Kosovës, ne besojmë se një rrugë e qartë dhe e mirëpërcaktuar për Kosovën drejt proceseve integruese, si në BE ashtu dhe NATO, si dhe ngushtimi i hendekut integrues mes Kosovës dhe vendeve të rajonit, janë parakushte për të patur një siguri të qëndrueshme dhe stabilitet në rajonin tonë” tha ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati.