KRYEFAQJA » LAJME » Bushati, thirrje diasporës
diaspora, thirrje, ditmir bushati, ministri i jashtem

Bushati, thirrje diasporës

Ministri i Jashtëm Bushati i ka bërë thirrje diasporës shqiptare në SHBA të bashkëpunojë me institucionet shqiptare për zhvillimin e Shqipërisë. Zoti Bushati që ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Sesionin e 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zhvilloi dje një bashkëbisedim me përfaqësues të Diasporës shqiptare në Boston, organizuar së bashku me Universitetin e Harvardit. “Themeluesit e shtetit modern shqiptar, e dinin fare mirë se nuk mund të ruhej pavarësia pa zhvillim ekonomik” tha ministri i jashtëm. Zoti Bushati paraqiti investimet për t’i thjeshtuar e për t’i bërë të prekshme shërbimet konsullore shqiptare, por dhe kontributin e diasporës përkundrejt Shqipërisë. Ministria e Jashtme së bashku me Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit, po përgatit strategji kombëtare për përfshirjen e diasporës në zhvillimin e vendit, që do të diskutohet gjatë Samitit të parë të Diasporës, në nëntor, në Tiranë. Ministri i jashtëm i dhuroi tekstet e Gjuhës Shqipe dhe Historisë së Shqipërisë shkollës shqipe “BESA” si dhe mori pjesë në meshën e organizuar në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston. Në fund të ceremonisë, At Artur Liolin, i dorëzoi Ministrit Bushati vulën “Ex-Libris”, me të cilën Faik Konica vuloste letrat dhe librat e tij, dhuratë e bibliotekës “Fan Noli” për Bibliotekën Kombëtare shqiptare.