KRYEFAQJA » LAJME » Bushati: Vendet e Ballkanit në kërkim të një pakti demokracie dhe zhvillimi
Bushati: Lirimi i Sheshelit, lajm i keq per drejtësinë ndërkombëtare

Bushati: Vendet e Ballkanit në kërkim të një pakti demokracie dhe zhvillimi

Vendet e Ballkanit perendimor duhet ta shohin forcën gravitacionale të BE-së si faktori kryesor në formëzimin e jetës ekonomike, politike dhe sociale. Deklarata është bërë nga ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati në Konferencën VII të Ministrave të Jashtëm të Europës Juglindore në Berlin. Zoti Bushati apeloi ndërkohë për një proces në vazhdim të Paktit të dikurshëm të Stabilitetit që do t’i çonte vendet në një pakt demokracie dhe zhvillimi. “Ndërsa Ballkani Perëndimor ka operuar mbi një pakt stabiliteti, procesi i Berlinit mundësoi krijimin e një pakti ndërlidhshmërie dhe tashmë vendet tona janë në kërkim të një pakti demokracie dhe zhvillimi” tha ministri i jashtë shqiptar Ditmir Bushati.
Në fokus të Konferencës ishin paketa e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, metodologjia e re e Komisionit Evropian në këtë drejtim, kriza e refugjatëve dhe migracioni, lufta kundër terrorizmit si dhe politikat e integrimit në strukturat Euro-Atlantike.
Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit dhe krizat migratore me të cilat përballen sot BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ministrat vunë theksin në impaktin që kanë fenomene të tilla në jetën e përditshme të qytetarëve si dhe nevojën për një qasje kolektive në përballimin e tyre, duke bërë thirrje për solidaritet, përgjegjshmëri dhe bashkëpunim pragmatik mes vendeve anëtare dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij, Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë Steinmeier, duke u ndalur në ecurinë e secilit prej vendeve të rajonit në proceset integruese, u shpreh se: “Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe duhet të vijojë tashmë me detyrën e vështirë të një reforme tërësore dhe të thellë të sistemit të drejtësisë”.
Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Gentiloni, gjatë fjalës së tij në konferencë, u shpreh se Shqipëria ka vijuar me reformat dhe duhet të vazhdojë përpjekjet për të ecur së shpejti drejt hapjes së negociatave për anëtarësim. “Italia është angazhuar në procese kreative të bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë trilateralin Shqipëri-Itali-Serbi, Iniciativën e vendeve të Evropës Qendrore si dhe Strategjinë e BE-së për Makro Rajonin Adriatiko-Jonian”, tha zoti Gentiloni.