KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Buxheti 2016, nis diskutimi parlamentar
Buxheti 2016, nis diskutimi parlamentar

Buxheti 2016, nis diskutimi parlamentar

Parlamenti shqiptar nis të premten diskutimin në seancë të posaçme plenare projektbuxhetin e vitit 2016 si dhe paketën fiskale që shoqëron atë. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, duke e paraqitur buxhetin në mbledhjet e komisioneve, e ka quajtur projektbuxhetin e vitit 2016, si buxhet i zhvillimit rajonal, thellimit të reformave dhe uljes së borxhit dhe taksave. Ky, ka theksuar kreu i financave publike, është një buxhet me sens të theksuar zhvillimi dhe mirëqënieje për qytetarët. Sipas tij, rritja reale ekonomike për vitin 2016 është 3.4 përqind, i treti vit radhazi me rritje reale ekonomike. Por, opozita thotë se ky është buxhet i varfërisë, i cili braktis ekonominë dhe ngrin përfitimet për qytetarët. “Inflacioni do jetë 2.5 për qind, zero rritje pagash. U bë viti i tretë që për të gjitha kategoritë e administratës publike rritja është zero. Ndërsa pensionet rriten me 1.1 miliarde, aq është kontigjenca, që do të thotë me 0.8 për qind” ka deklaruar gjatë debateve ish-ministri i Financave në qeverisjen e djathtë, deputet i PD-së, Ridvan Bode. Opozita nga ana e saj ka përgatitur edhe një paketë fiskale alternative, ku bie në sy vendosja e taks së sheshtë 9 për qind dhe uljen e TVSh në 15 për qind. Votimi përfundimtar do të bëhet në 17 dhjetor.