KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Buxheti 2017, institucionet kërkojnë më shumë fonde

Buxheti 2017, institucionet kërkojnë më shumë fonde

Komisioni i Ligjeve ka vijuar edhe në mbledhjen e së premtes me shqyrtimin e pr/buxhetit 2017. Ajo që ka krijuar replika mes Ministrit për Çështje Vendore Bledi Çuçi dhe deputetit të LSI-së Petrit Vasili kanë qenë paratë për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe vendimi i qeverisë i cili sipas Vasilit është i pazbatuar. Ai theksoi gjithashtu se vëmendja ndaj këtij aspekti është shumë e rëndësishme pasi përbën një shqetësim të madh edhe shoqëror edhe qeveritar, edhe pse Ministri Çuçi theksoi se ky është buxheti me transfertën më të madhe historike. Sipas Vasilit duhet të ketë më shumë reflektim nga ana e Komisionit të Ligjeve për një vendim qeverie ende të pazbatuar. Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, tha se buxheti i institucionit që ajo drejton do të rritet me 16% në vitin e ardhshëm duke bërë të mundur edhe përballimin e rritjes së pagave. Po ashtu, rritje të fondeve, ka kërkuar edhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, kryesisht në funksion të zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme ne mënyrën më efektive të mundshme. Ndërkohë Ministria e Brëndshme, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi janë shprehur dakord me buxhetet 2017, ndërsa Avokati i Popullit, Shkolla e Magjistraturës dhe ILDKP kanë kërkuar shtesë fondesh në buxhetet përkatëse.