KRYEFAQJA » LAJME » Byroja Kombëtare e Hetimit përplas PS dhe PD
Byroja Kombëtare e Hetimit përplas PS dhe PD

Byroja Kombëtare e Hetimit përplas PS dhe PD

Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, u vu në qendër të debatit parlamentar në seancën e të enjtes. PD e opozitës, kishte këmbëngulur për miratimin e ligjit të posaçëm me procedurë të përshpejtuar, por maxhoranca nuk pranoi. Ndërkaq nënkryetari i grupit parlamentar të PD ish ministri i drejtësisë Eduard Halimi, tha se partia e tij ka kërkuar që Byroja të mos jetë në varësi të kryeministrit, por në atë të kryeprokurorit.
Por kryeministri Edi Rama, tha se “Byroja Kombetare e Hetimit është një nga objektivat tona dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë rrugën tonë”. “…ne nuk kemi beteje për t’u marrë me ju, por beteja jonë është për të bërë shtetin ligjor në Shqipëri” tha zoti Rama. Sipas tij opozitën në vitin 2017 e pret një humbje më e madhe se humbjet e 2013 dhe 2015.
Në fakt deklarimet e zoti Rama, u duken si një përgjigje e deklarimeve të një dite më parë e liderit të opozitës Lulzim Basha i cili akuzoi maxhorancën se po vonohet në krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe se ka humbur mbështetjen e pjesës më të madhe të elektoratit shqiptar.